Shukrije Gashi: Kur të vdes…

shukrije gashi kur te vdes

Kur të vdes njësoj do të jetë si dje
po nuk u pamë miq dijeni
edhe rrugët e gjurmët do t’i
marr me veti me hidhërim
nuk do të më gjeni më askund
as n’vargje pikëllimi do t’përgjigjem
një palë sy që flasin zëshëm dhe mallkojnë
do t’ju ndjekin pas gjithmonë
Shi do t’bie përsëri borë me stuhi e acar
rrugët me kalldrëm n’vargjet e mia
i mbolla q’moti në ditët që i harruam
ikën dje relikte u shembën me pahir
Nga shpirti që fali shumë dashni
zëshëm po u them po nuk u pamë
do ta mallkojmë vetveten
harrimin për ne nuk do t’na kthejë
ma askush
Ejani të pijmë nga një gotë vere ilaç
sa më parë
Për fjalën e pa thënë
edhe sonte është vonë
për lamtumirën
peng në pragun tjetër
Kur të vdes do të jem
vetëm mbuluar me jorgan dheu plumb
Heshtja nuk do’ flet
më as në vargje
Shpirtit do t’i mungojnë
pasthirrma malli për sytë
që nuk do t’i shohim më kurrë
Ejani në festën e përshpirtjes
të pijmë të vishemi me
dehjen për ata që u shkëputën
vetëm dje nga sytë e qiellit tonë
Sa shumë do t’u mungojmë
sekondave përqafimeve
Zbritni nga harrimi
një kurorë lulesh më nuk flet
shpejtoni të shihemi sa s’u bë vonë…!

*Titulli i origjinalit: Sa nuk u bë vonë

ObserverKult

_________________________

Lexo edhe:

FERNANDO GARCIA: DO TË MBETEN VEÇ KUJTIMET…