Shumica gabojnë/ Ja si duhet t’i shkruani përemrat e pacaktuar

Një ndër 7 llojet e përemrave të gjuhës shqipe janë edhe “Përemrat e pacaktuar”, të cilët kanë një shtrirje të gjerë përdorimi në gjuhën tonë.

Përemrat e pacaktuar tregojnë frymorë a sende në mënyrë të pacaktuar ose sasi të pacaktuara të tyre. Veçori themelore e përemrave të pacaktuar është pacaktuesia. Dikur këta përemra quheshin edhe si “Përemra të pakufishëm”, shih. FGjSSh, f.1333.

Meqë, vështrimi ynë është “Drejtshkrimi i përemrave të pacaktuar” le të shtojmë se në të folur dhe në të shkruar në gjuhën letrare shqipe ndeshim gabime drejtshkrimore në fushën e këtyre përemrave, si vijon:

Shkruhen me “-ë” në fund përemrat e pacaktuar, si: “gjithë, shumë, tërë, mbarë, gjë, një, asnjë, njëfarë” etj.

Shkruhen pa “ë” fundore përemrat: “plot, aq, kaq, mjaft, pak, diç” etj.

Shkruhen në formë të bashkuar, të përngjitur, dhe e ruajnë “-ë-“në fjalët, gjë, një, njëfarë, shumë, si pjesë përngjitëse e tyre, përemrat: “asgjë, asgjësend, gjësend, gjëkafshë, asgjëkafshë, mosgjë, ndonjë, asndonjë, çfarëdo, çfarëdolloj, njëfarë, asnjëfarë, asnjëfarëllojë, shumëkush” etj.

• Fjalët “gjithë” dhe “kurrë” si pjesë përngjitëse nuk e ruajnë “-ë-“në në trup të tyre, si: “gjithkush, gjithsecili, gjithsekush, gjithçka, gjithfarë, gjithfarëlloj, gjithmbarë”; ose me “kurrë”: “kurrkush, kurrgjë, kurrfarë, askurrkush, askurrfarë, askurrgjë” etj.

• Në formë të përngjitur duhet të shkruhen edhe përemrat e pacaktuar “askush, sekush, secili (dhe jo: seicili)” dhe përemrat: “akëkush, akësekush, akëcili, akësecili” të cilët siç shihet marrin edhe një “-ë-” në trup të tyre.

• Përemri i pacaktuar “tjetër”, kur vjen pas një emrit të numrit shumës, duhet të përdoret kurdoherë me nyje të përparme, si: djemtë “e tjerë”; vajzat “e tjera”; (dhe jo: djemtë tjerë).

Edhe përemrat e pacaktuar “gjithë” dhe “tërë” (geg.“tanë”) që tregon tërësi të papërcaktuar, përdoren me nyjën e përparme të shumësit “të”, p.sh. “Të gjithë” djemtë, “të gjitha” vajzat: “i gjithë” populli; “e gjithë” bota .

• Disa përemra të pacaktuar që shprehin marrëdhënie të shoqishoqshme (reciproke) shkruhen me një vizë në mes, si: “njëri-tjetri, njëra-tjetra, shoku-shokut, shoku-shokun”, por edhe: “shoqi-shoqit, shoqi-shoqin”.

P.sh.: Ne bisedojmë me “njëri-tjetrin”. Ia dhanë besën “shoku-shokut” etj.

Ndryshe, në rrafshin sintaksor, shumica e përemrave të pacaktuar mund të përdoren në funksione të ndryshme sintaksore, si: kryefjalë, kundrinorë e rrethanorë të ndryshëm.

Kur janë të shoqëruar me emra përdoren si përcaktorë. P.sh.:

Si kryefjalë:

“Askush” nuk u përgjigj.

Si kundrinor i drejtë:

Nuk tha “asgjë”.

Si kundrinor i zhdrejtë:

“Askujt”nuk i pëlqeu mendimi yt.

Si rrethanor:

E kam parë “te dikush” këtë djalë.

Prandaj nga gjithë kjo që u trajtua më lart, konsiderojmë se kemi dhënë një kontribut rreth shtrirjes së këtyre përemrave të pacaktuar e për së veçi rreth drejtshkrimit të tyre në gjuhën standarde shqipe./ Prof. Hamdi Mazreku

ObserverKult


Lexo edhe:

“NDIEJ” DHE “NDJEJ”/ PSE GABOJMË KAQ SHUMË ME KËTO DY FOLJE?

Kur ne “falim”, në vend që të “ndiejmë”

Para ca kohësh nisa të lexoja një roman, i cili fitoi një çmim të rëndësishëm në vendin tonë!

Përveç kënaqësisë estetike që prisja të merrja nga ai, si roman fitues i këtij çmimi, prisja të merrja edhe kënaqësinë gjuhësore, pra përdorimin e një gjuhe të saktë dhe pa gabime drejtshkrimore e gramatikore.

Sapo hapa në faqen e parë, personazhi kryesor “ndjente”, pra falte, në vend që të “ndiente”, ashti siç nënkuptohej nga konteksti…

Fatkeqësisht, nuk ishte hera e parë, por hera e panumërt që e hasja këtë gjë! Madje nuk mbahej mend kur e kisha hasur saktë përdorimin e këtyre foljeve në një libër artistik, por edhe në shumë libra të tjerë joartistikë, për të mos përmendur përdorimin e tyre nga mediet!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


TUPJA: GJUHA SHQIPE PO SHKON DREJT GREMINËS. PAS 100 VJETËSH DO PYESIM: “A FLET SHQIP”?

Shkrimtari dhe përkthyesi, Edmond Tupja, në emisionin ‘3D të Alban Dudushit’ në RTSH tha se gjuha shqipe po përjeton momente shumë të vështira deri dhe dramatike aq sa pas 100 vitesh do të pyesë shqiptari- shqiptarin: “a flet shqip”?

“Çështja qëndron në faktin se shqipja, edhe për shkak të globalizmit po shkon drejt greminës. Pas 100 vitesh do pyesë shqiptari- shqiptarin: “a di të flasësh shqip”?

Duhet reaguar. Leksiku i gjuhës shqipe po bombardohet, po ikin fjalë të tëra.  Kryeministri deformon i pari shqipen me fjalë që s’di nga i gjen. S’ka më mënyrë dëshirore në gjuhën shqipe.

Habitorja është duke lënguar. Po fshihet. Titrat e mediave janë dramë. Janë analfabetë funksional. Po rrudhet gjuha. Kështu është shprehur tutje Tupja.  

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult