Vepra madhore e Padër Gjergj Fishtës. “Lahuta e Malcis” e filloi botimin e saj si fillim që në vitin 1905 me një vëllim të vogël me titull “Te ura e Rrazhnicës”, i cili u shtyp nga shtypshkronja “Vitalini” në Zarë të Dalmacisë. Botimi i atij libri të vogël në formë broshure u bë i mundur vetëm në sajë të Faik Konicës, i cili i dërgoi Fishtës, 100 franga ari që ia kishte dhënë Ministria e Jashtme e Austro-Hungarisë për botimin e një libri të poetit shkodran Filip Shiroka.
Nga Dashnor Kaloçi
Duke qenë se në atë kohë që u dhanë ato para, Filip Shiroka nuk e kishte përgatitur akoma librin për botim, e nëse nuk kishte ndonjë vepër tjetër për t’u botuar në gjuhën shqipe, ishte vënë kusht që paret duhej të ktheheshin. Në atë kohë Faik Konica në një letër që i dërgoi Padër Pashko Bardhit, të cilin e kishte bashkëpunëtor të revistës “Albania”, e pyeste nëse Shoqëria Letrare “Bashkimi” kishte ndonjë vepër për botim dhe Pashko Bardhi menjëherë e rekomandoi botimin e vëllimit të Fishtës të titulluar “Te ura e Rrazhnicës”.
Pas kësaj Faik Konica i dërgoi paratë me postë dhe libri u botua në mënyrë ilegale, pasi në atë kohë ishte e ndaluar me ligj që në tokat që ishin nën admistrimin e Austro-Hungarisë të botoheshin libra në gjuhën shqipe.
Botimi i librit u bë i mundur në saj të Padër Pashko Bardhit i cili shkoi tek Ministri Fuqiplotë i Austro-Hungarisë në Dalmaci dhe iu lut që të gjendej ndonjë mënyrë për botimin e librit të Fishtës. Pasi e dëgjoi deri në fund, Minsitri austro-hungarez i tha Pashko Bardhit që emrin e autorit të mos e vinin në faqen e parë të librit, por në faqen e fundit dhe përpara se të shpërndahej libri, faqja e fundit të shkëputej që andej dhe vetëm ashtu mund t’i shpëtonte ndëshkimit ligjor. Në këtë mënyrë u bë shtypja e atij libri në vitin 1905 dhe në të gjitha kopjet e atij botimi ku disa ekzemplarë ruhen ende dhe sot, nuk figuron fare emri i autorit, Gjergj Fishtës.
Ribotimet e “Lahutës”
“Lahuta e Malcis” që është dhe vepra kryesore e Padër Gjergj Fishtës, është një vëllim me 30 këngë, e cila u botua e plotë vetëm në vitin 1937. Pas atij botimi ajo vepër pati një jehonë të madhe dhe nga kërkesat e shumta që iu bënë, Fishta u detyra dhe e ribotoi atë në vitin 1939.
Pas këtyre dy botimeve, “Lahuta e Malcis” u ribotua përsëri në vitin 1958 në diasporën shqiptare duke u përgatitur nga At Daniel Gjeçaj, në bashkëpunim me Prof. Martin Camajn dhe Dr. Petro Vuçanin. Ai ribotim kishte rreth 700 faqe sepse ishte i paisur edhe me shpjegime dhe komente të ndryshme. Përveç “Lahutës” që konsiderohet si një nga veprat më madhore dhe më të arrira të tij, Padër Gjergj Fishta shkroi edhe rreth 30 vepra të tjera, ku më të spikaturat janë: “Vallja e Parrizit”, “Mrizi i Zanave”, “Anzat e Parnasit”, “Gomari i Babatasit”, “Jerina” etj.
Përveç këtyre veprave Fishta bashkëpunoi ngushtë duke shkruar në të gjithë shtypin shqiptar të asaj kohe që nga “Albania” e Faik Konicës, te “Kalendari” i Mithat Frashërit, në “Hylli i Dritës” dhe në të gjitha revistat letrare shqiptare. Asokohe Padër Gjergj Fishta konsiderohej si një nga polemistët më të spikatur dhe ndër polemikat e tij mbahet mënd ajo me titull “Gabove Hilë”, në të cilën ai polemizonte me Ministrin e Arsimit, Hil Mosi, lidhur me mbylljen e shkollave private në Shqipëri. Ai artikull asokohe bëri një bujë të madhe në të gjithë vëndin dhe i gjithë shtypi shqiptar e komentoi gjatë atë.
ObserverKult
Lexo edhe:
“Lahuta e Malcis” zë vend në radhën e eposeve të mëdha botërore