Nga EPOSI I BJESHKËVE TË LUMËS
(60 legjenda t’rrëfyeme… )
Petrit Palushi
Nji vjet, nji çoban i Gjabrricës i kullotke dhitë te ana e përtejme e Drinit.
Bukur do kohë pa u avitë terri nisi nji shi si me ulërimë.
Çobani i mblodhi dhitë, qenin e kalin e nisën me u kthye.
Mbas do kohe shiu u ndal.
U afruen te Drini.
Rrenimi e kish marrë përpara kaluesen prej lisash, prej njanës anë t’Drinit n’tjetrën.
N’at kohë, terri mbërrijti n’vend.
Veç nji hanë bukur e madhe lodronte te qiella, po drita s’pikonte deri atypari.
Çobani nisi me e lodhë mendjen se çfar’ me ba.
– Ktu edhe Drini e thyen qafën, – foli me za t’naltë.
E iu drejtue hanës:
“Hanë, moj hanë, ma ban natën ditë!”.
Hop, nji zhurmë e madhe sa e trandi vendin.
Shtatë lisa u këputën dhe ranë n’ujë.
U ba nji kaluese përmbi Dri, ma e gjanë se e para.
Copa t’hanës ranë prej qielle dhe zunë vend n’maje shelgjesh.
Fillimisht, hana n’formë unazë-unaza.
Ma mbrapa si bri dashi.
E ma mbrapa si gjysmë buke pa kore.
E n’fund n’formë unazë-unaza.
Drini muer dritë hane.
Çobani, njanën prej unazave t’hanës e vu n’gisht.
Krejt dora iu vesh me dritë hane.
Preu nji thupër shelgje të gjatë, i vu unazat prej hane n’maje t’thuprës, kaluen Drinin dhe u nisën drejt shpisë.
Ai para.
Dhitë mbrapa.
Mbrapa dhive, qeni.
Ma n’fund, kali.
Çobani e mbante nalt thuprën me unaza t’hanës.
Udha plot me dritë.
Kur mbërrijti çobani te shpija, fëmijët e vet ia morën thuprën me unaza hane dhe u kënaqën tue u endë nëpër oborr.
Oborri, plot e përplot me dritë hane.
Edhe fytyrat e sytë e fëmijëve.
Por, dikur drita e unazave t’hanës, fluturim e shkoi te hana e qiellës.
E hana e qiellës mori dritë ma tepër e u ba ma e plotë e ma e plotë.
ObserverKult
LEXO EDHE