Skënder Rusi: Pas 100 vjetësh…

Skënder Rusi, ObserverKult

Pas 100 vjetësh asnjë nga ne,
s’do ketë mbetur,
Në tjetër botë do jemi që të gjithë!
Veç qiej bosh ne kemi për të gjetur,
Ndërsa kërkojmë të gjejmë Perënditë!

Pas 100 vjetësh të gjithë do kemi ikur,
Dikush më parë, të tjerët ca më vonë,
Çdonjë nga ne do jetë një dritë e fikur,
Që nuk do ndizet më në botën tonë!

Pas 100 vjetësh të pasur dhe të varfër,
Do ikim, ndoshta, në të njejtën ditë!
Të dashur tonën do të kemi natën,
Se veç ajo na i fshihte marrëzitë!

Pas 100 vjetësh do kemi lënë emrat,
Të mirë a të këqinj, le t’na gjykojnë!
Ikën një kohë dhe ja ku vjen tjetra,
Ku njerëzit, njeri-tjetrin do harrojnë!

Pas 100 vjetësh (mos ju duken shumë!)
(Veç sa një çast janë për ne të gjithë!)
Unë s’e di në ç’yll do të jem unë,
Por di që do t’i gjej Perënditë!

ObserverKult