Gerhard Pregapuca: Fli, engjëlli im!

E qetë, ti fle engjëlli im,
Më bën të ndjehem xheloz,
Me gjumin, je dashuruar kaq ëmbël,
Ç’të bëj kur shpirti mu merakos?!

Të shikoj, e të ngopur s’kam
Të puth, ti dorën mbi mua e vë,

(Më fal, të shqetësova..?)

S’më erdhi keq!
Kastile e bëra, po hë!

Fli bukuroshja ime,
Ashtu paqësore siç je!
E në mëngjes, kur të zgjohesh,
Lërmë mua edhe pak të fle!

Se natën, siç të thash’ nuk pata gjumë,
Po të shikoja ty,
Xheloz e i merakosur për ëndrrat që sheh,
I etur, për ato dy sy!

Që nga qepallat jan’ mbuluar,
E shkëlqimin dot s’ja shoh,
Nga puthja i hap ashtu si përgjumësh,
E thua se më do!

Dhe i kënaqur,
Në jastëk kokën vendos,

(E ngadal mbyll sytë dhe unë)

I qetë jam tashmë, e ëmbla ime,
I lumtur, se të dua shumë!