S’mund të bindësh një grua që është dashuria e vetme…

s'mund ta bindesh

S’mund të bindësh një grua që është dashuria e vetme… nga Muhamed Al Magut (shkrimtar sirian)

Na dhanë ora, por na privuan nga koha.
Na dhanë këpucë, por na privuan nga rrugët.
Na dhanë parfum e unaza, por na privuan nga dashuria.
Na dhanë lisharëse, por na privuan nga festat.
Na dhanë qumësht pluhur, por na privuan nga fëmijëria
Na dhanë plehra kimike, por na privuan nga pranvera.
Na dhanë parlamente, por na privuan nga liria.
Na dhanë kisha e xhami, por na privuan nga besimi.
Na dhanë roje e dryna, por na privuan nga qetësia.
Na dhanë revolucionarë, por na privuan nga revolucioni.

– Përveç këpucëve, asgjë tjetër s’më lidh me këtë tokë.

– Më duket vetja si një i burgosur që ka njëzet vite që rrëmon një tunel për tu arratisur nga qelia e tij, e pas njëzet vitesh zbulon se sapo ka mbërritur në një qeli tjetër.

– Zot, më fal fuqinë e çelikut dhe brishtësinë e fluturës.

– Gjithçka në qiell, det dhe tokë është e atdheut dhe atdheu është i një bande hajdutësh.

– E pabesueshme! Gjithë këto maja malesh dhe ne vazhdojmë përpëlitemi mes gropash.

– Vendimet tona janë kombëtare, ama pjesët e saj të ndërrimit i marrim nga jashtë.

– Gjithmonë besonte se kisha edhe një grua tjetër. Është e mundur të bindësh një shkëmb që është re, por s’mund të bindësh një grua që është dashuria e vetme. Edhe nëse je i sëmurë, në çastet e fundit të jetës dhe i dërgon një letër me infermieren, ku i shpreh dashurinë tënde të thellë dhe se e gjithë bota as nuk i afrohet njërës këpucë të saj, ajo ta kthen gjithë zemërim: E ku e le këpucën tjetër?

– Thellë brenda nesh gëlojnë bubullimat, rufetë, stuhitë dhe shirat, për të cilat qendrat e parashikimit të motit nuk thonë asgjë.

– Jam në mbrojtje të përhershme: Dielli më mbron nga shiu, shiu më mbron nga udhëtimet, udhëtimet më mbrojnë nga hajdutët dhe hajdutët më mbrojnë nga shpërdorimi i parave.

– Ka errësirë meditatike, errësirë politike, errësirë ushtarake, errësirë ekonomike, errësirë kulturore, errësirë sektare… E mbi të gjitha, na shtohet edhe errësira për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrie çdo gjysmë ore. Megjithatë, kudo flitet vetëm për transparencë.

– A ekziston dialogu mes pushtetit dhe popullit, në vendet e Lindjes?

Në Angli, kur një zyrtar ka mendim ndryshe me një tjetër, kushdo qoftë, sjell pasazhe nga Shekspiri për ta bindur dëgjuesin.
Një italian e argumenton qëndrimin e tij me thënie nga Dante Aligeri.
Një francez e mbron mendimin e vet me urtësi nga Volteri.
Një gjerman ka Niçen.
Kurse një zyrtar lindor, nëse e kundërshton, të sjell tankun. Hajde diskuto me të.

Sektarizmi është loja e finokëve për të sunduar idiotët.

Ne jemi brez i mëkuar nga terrori politik, pa na u dhënë shansi të mëkohemi me qumësht. Prandaj më sheh në gjendje paniku gjithë kohën, gjithçka më tremb, edhe sikur të jetë thjesht një faturë energjie elektrike.

Nuk e godet dot shënjestrën nëse të dridhen duart.

Përktheu: Elmaz Fida

ObserverKult

Lexo edhe:

ROBERTO SAVIANO: JETË ËSHTË GRUAJA QË TË DASHURON…