Sokrat Habilaj: Sërish për ty

Foto ilustrim

Unë jam si aktor i një skene tragjike,
Ku shoh malle që më këputen në mes.
Para këmbëve rrëzohen me dhimbje,
Bashkë me to, vdes unë pjesë-pjesë.

Ashtu i gjakosur, zvarritem në gurë,
Të përcjell nën dhè, grimca shpirti.
Si shpirt gjysmak, gjysmak si burrë,
E hap arkivolin, dhe matem të iki.

Shpesh vetja më duket, si në mort,
Ku dashuritë më vdesin një nga një.
Të iki më vonë? Ç’të rri kot më kot,
Nga mallet që kisha nuk mbeti asnjë!

Gjithë mallet ikën, pse të rri mbi dhè,
Po më shfaqesh ti, e më ndal në prag
S’kam vdekur i tëri , ti gjallë ja ku je,
Braktis kortezhin, vdekja është larg.

ObserverKult

———–

Lexo edhe:

SOKRAT HABILAJ: TI MOS U TRISHTO…