Sokrat Habilaj: Të mërzita? Ik nga unë për pak kohë…

Foto ilustrim

Poezi nga Sokrat Habilaj

Të mërzita? Ik nga unë për pak kohë.
Mbase diku tjetër do të gjesh qetësi.
Po unë, s’mund të isha ndryshe, apo jo,
Në këtë botë të mbushur gjithë mërzi.

Megjithatë, ik, madje më merr inat.
Dhe në ndjehesh mirë, këtu më mos u kthe.
Harromë fytyrën si një degë të thatë,
Në pllajën e vetmisë të mbështjell me re.

Larg meje, ti kryeneçe le të më rrish,
pa më shtrirë dorën nëse gjendesh ngushtë.
Po unë, që vij nga bota e mërzisë,
Do ta kuptoj në çast kur ke rënë në kurth.

Dhe do të vij pranë, me pamje krejt ndryshe,
Të mos më njohësh që jam ai i pari.
E dashur, kjo botë, është e mërzitshme,
Nëse të thash ik, s’ta prisha thjesht nga malli.

Kur të ndjesh të ftohtë, të dridhesh në acar,
Do të vij ngrohtësi në vatër të të ndez.
Dhe ti, duke afruar duart në zjarr,
Do të shohësh pranë teje një eskimez.

Kur nga zhegu, të përvëlohet kurmi yt,
Një grusht uji burimi, do të sjell s’largu.
E ti do të qeshësh, duke larë sytë,
Se do të shfaqet një fytyrë zezaku.

Unë nuk e di, kur të më shohësh ndryshe,
Nëse do ta shtysh tutje, ujin a zjarrin.
Kjo botë që gjithçka bëri të mërzitshme,
Nuk di a mundi ta mërzis edhe mallin?

…Po kur buzët të të tundohen për puthje,
Kë do të kërkosh ti në dallgë dashurish?
Buzët e mia, do t’i gjakos me ndukje,
Veç me fytyrë tjetër, s’të shfaqem ta dish!

ObserverKult


Lexo edhe:

SOKRAT HABILAJ: KA KUSH MË DO MUA, NËSE NUK MË DO TI…