Suad Rama: Arti më ka mësuar të shoh bukurinë në detaje të vogla

Qysh si fëmijë e ka shfaqur dashurinë dhe pasionin për artin, për pikturën. Madje çdo detaj që i ka rënë në sy, piktori dhe profesori i artit Suad Rama i ka pikturuar në letër.

Në intervistë për ObserverKult, Suadi flet për dashurinë e madhe që e ka për profesionin e tij, sukseset e shumta dhe sfidat.

Intervistoi Lindita Canolli Fejzullahi/ObserverKult

Pasioni për pikturën ju ka lindur nga fëmijëria e hershme apo e keni zhvilluar në moshën madhore. Na flisni pak për detajet. Zakonisht çfarë vizatime bëje atë kohë, kush të bënte vlerësimet ?

Suad Rama: Fillimisht faleminderit nga ju për kohën dhe hapësirën që më keni dhënë për intervistë.

Talentin dhe pasionin për artin i kam shfaqur që në fëmijëri. Të gjithëve në familjen time ju kanë bërë shumë përshtypje punimet e mija veçanërisht nënës dhe motrës sime. Vazhdimisht më kanë thënë se kam shumë talent dhe se kjo është një dhuratë e jashtëzakonshme dhe se duhet të vazhdoja ashtu.
Pra, si fëmijë shumicën e kohës e kam kaluar duke bërë vizatime (skica) të personazheve të animuara, peisazhe, natyra të qeta dhe shumë gjëra të tjera kreative.

Pra, këto eksperienca të hershme janë baza e kultivimit të dashurisë së përjetshme për artin. Kjo dashuri për artin më ka sjellë ndikime të mëdha në jetën time të përditshme, duke e pasuruar perceptimin tim për estetikën dhe shpirtin njerëzor. Arti më ka bërë të mësoj të shoh bukurinë në detaje të vogla, të kuptoj vlerën e kreativitetit dhe të gjej mënyrën time për tu shprehur.

Pas konkluzionit se e doni artin, pikturën, vazhduat shkollimin për pikturën. Si shkoi shkollimi?

Suad Rama: Rrugëtimi im gjatë studimeve për pikturë ka qenë një përvojë e bukur dhe sfiduese në të njëjtën kohë.

Kjo është një kombinim i zakonshëm në fushën e artit, pasi sfidat dhe përballjet janë ato që na ndihmojnë të rritemi dhe të zhvillohemi si artistë. Për shumë njerëz, rrugëtimi fillon me një zell të madh për të mësuar dhe për të përsosur aftësitë e tyre teknike.

Unë kam qenë i përgatitur për të përballuar çdo sfidë dhe për të kuptuar që ndonjëherë arti nuk është i lehtë, por kjo është pikërisht pjesa e bukur e përvojës në art.

Gjatë studimeve, jam munduar të bëj maksimumin për tu profesionalizuar duke marrë këshilla të profesorëve, kam eksperimentuar me teknika të ndryshme dhe kemi punuar në projekte që më kanë bërë të jem më kreativ dhe të mendoj jashtë kutisë. Kjo është një kohë kur kam arritur të eksploroj stilin tim artistik, të zhvilloj aftësi të reja dhe të shoh potencialin tim në mënyra të reja.

Përballjet dhe sfidat janë pjesë e çdo rrugëtimi të artit, pra dhe unë kam përjetuar momente të mundimshme dhe mjaft sfiduese, por kjo më ka bërë të rritem dhe të punoj ditë e natë për të përmirësuar punën time çdo ditë e më shumë.

Në anën tjetër, ka pasur gjithashtu momente kur kam arritur rezultate të mahnitshme që më kanë bërë të ndjehem shumë krenar për arritjet e mia.Rrugëtimi im është një histori e pasionit, përkushtimit dhe përparimit. Mund të jetë një rrugëtim me ngritje dhe rënie, por kjo është ajo që e bën atë të çuditshëm dhe frymëzues.

Ka disa vite që jeni profesor i Pikturës në Universitetin e Prishtinës. Çfarë ndjesie ju jep mësimdhënia?

Suad Rama: Për këto 10 vite të të qenit profesor ishte një mundësi shumë e rëndësishme dhe e ndjeshme në jetë, sepse më është dhënë mundësia të ndikoj në zhvillimin dhe edukimin e studentëve. Ky rol mund të sjellë ndjenja të kënaqësisë dhe realizimit personal për shkak të kontributeve në fushën e arsimit dhe formimin e brezave të rinj.

Megjithatë, vjen me sfida të veta si përgjegjësia për të përcjellë njohuri dhe frymëzim, si dhe të angazhohesh në hulumtimin dhe zhvillimin profesional të vazhdueshëm.

Si e kishit përkufizuar pikturën me fjalë ?

Suad Rama: Piktura për mua është një rrugëtim i vazhdueshëm për të eksploruar vetveten, për të kuptuar më mirë aspektet e brendshme të krijimtarisë sime dhe për të shprehur mënyrën time unike, kuptimin e botës.

Përmes kësaj forme të artit, jam në gjendje të lidhi emocionet dhe mendimet e mia me të tjerët, duke krijuar një urë të thellë komunikimi që kalon përtej fjalëve.

Zakonisht cila është ndjesia që ju e paraqisni në pikturat e juaja, teknika…A ju ndodh që për një kohë të gjatë punoni me një koncept apo si është procesi i punës?

Suad Rama: Shumëllojshmëria e burimeve të frymëzimit më jep mundësinë të eksploroj tema të ndyshme që më bëjnë më shumë përshtypje. Kohëve të fundit ka ndikuar shumë edhe udhëtimet nëpër vendet aziatike, vende të pasura si nga kultura e lashtë ashtu edhe pasuritë dhe bukuritë e rralla natyrore. Pastaj storie të shumta nga njerëzit dhe për kafshët sidomos elefantëve të keqtrajtuar që ju kam dedikuar një cikël të tërë me rreth 20 vepra. Po ashtu tema aktuale nga cikle të ndryshme…Pra këto janë disa nga frymëzimet që më kanë dhënë mundësinë të kem një portfolio të pasur artistik.

E veçanta në teknikën time është që mundëson të hulumtosh dhe kërkosh forma pa fund, duke shtrirë ngjyrën e telajo dhe pastaj hulumtimi dhe gjetja e formave përmes fshirjes së ngjyrës mundëson të gjesh saktë atë që je duke kërkuar, pra të një vepre apo cikli pikturash…. Më mundëson të ndyshoj ose ta evoluoj storien ose ngjarjen në çdo kohë duke fshirë ose shtuar me lehtësi atë ide që vjen në moment ose ndërhyrjet e nevojshme që vinë nga zhvillimet e fundit ….

Pra përdorimi i teknikës së gjyrës së vajit dhe fshirja e ngjyrës kërkon kohë dhe përkushtim për të bërë të mundur gjetjen e teknikës personale!

Keni pasur shumë ekspozita në Kosovë, rajon, por edhe në Eropë, botë. Si bën që pikturat e juaja të shkojnë tek adhuruesit në krejt këto vende?

Suad Rama: Pas çdo aktiviteti artistik është shtuar interesimi për punën time gjithashtu ekspozimi i punimeve nëpërmjet rrjeteve sociale më ka ndihmuar të jem sa më afër me artdashësit si në Kosovë dhe në gjithë botën.

Shumë galerist dhe koleksionist më kanë kontaktuar për bashkëpunime dhe me shumicën prej tyre edhe kemi realizuar projekte të ndryshme me shumë suksese që tashmë dihen!

Cilat nga veprat e juaja të ka dhënë më shumë emocion?

Suad Rama: Të gjitha punimet kanë storien e vet dhe në përgjithësi nuk mund t’i ndaj përveç njërin punim të titulluar “Fjetur”, përmes së cilës kam shprehur një ndjenjë të veçantë të dashurisë dhe ndjenjave të jashtëzakonshme ndaj figurës së nënës. “Fjetur” është një punim që portretizon me hollësi dhe ndjenjë pjesën e një personi të dashur për mua që është Nëna.

Figura e nënës është e renditur me kujdes dhe detaje të hollësishme, duke kapur shprehjen e qetësisë dhe të bashkësisë. Përmes përdorimit të ngjyrave të buta dhe toneve të ngrohta, kam arritur të krijoj një atmosferë qetësuese dhe të ngrohtë, që reflekton ndjenjat e dashurisë dhe kujdesit që kam ndaj nënës sime.

Zakonisht nga e merni inspirimin për pikturë. A ju ndodh të pikturoni ta zëmë, edhe kur jeni keq me disponim?

Suad Rama: Pikturimi është një mënyrë shumë e rëndësishme për shprehjen dhe shërimin emocional. Fakti që pikturoj edhe kur jam në gjendje të mirë dhe kur nuk jam në gjendje të mirë tregon se arti është më shumë se një aktivitet kreativ për mua.

Pra është një mënyrë për të shprehur ndjenjat dhe për të shkuar në kontakt me emocionet e mia në momente të ndryshme të jetës.

Kur jam në gjendje të mirë dhe të disponuar, pikturimi është mënyra ma e mirë për të shprehur gëzimin, energjinë dhe frymëzimin që ndjej në ato momente, pra vërehet reflektimi i pozitivitetit dhe kënaqësisë. Ndërsa kur nuk jam në gjendje të mirë, pikturimi prapë është mënyra ime për t’i shprehur ndjenjat e ankthit, trishtimit, ose tensionit.

Përdorimi i ngjyrave dhe elementeve vizuale me ndihmon të shprehi ato emocione që mund të jenë të vështira për t’u shprehur me fjalë. Ndonjëherë, procesi i krijimit mund të ketë një efekt terapie dhe mund të ndihmoj në përballjen dhe trajtimin e ndjenjave të ndryshme.

Cilat nga rrymat e artit bashkëkohor ju tërheq më shumë?

Suad Rama: Rrymat e artit bashkëkohorë janë shumë të ndryshme dhe ndikohen nga ndryshimet në shoqëri, teknologji, kulturë dhe ndjenjat e kohës aktuale. Këto rryma përpiqen të shprehin shpirtin e kohës së tyre dhe ndonjëherë synojnë të sfidojnë normat e artit tradicional.

Në këtë kontekst, rrymat e artit bashkohor që janë tërheqëse ku bënë pjesë edhe mënyra ime e punës janë: Ekspresionizmi abstrakt, Arti Minimalist, Arti Multimedial etj.

Sa ka qenë i vështirë rrugëtimi juaj, cilat kanë qenë pengesat?

Suad Rama: Sigurisht ka qenë rrugëtim i vështirë dhe sfidues sidomos për gjeneratën tonë të periudhës së pasluftës, ku si fillim kemi pasur mungesë të literaturës dhe burimeve të reja, pastaj mungesë të materialeve për punë si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike, mungesë të hapësirave për punë e shumë gjëra të tjera që kanë vështirësuar procesin e zhvillimit si artist.

Por sado e vështirë dhe sfidues ky rrugëtim të gjitha i ka mundur forca e madhe e dashurisë ndaj artit dhe këto sfida kanë shërbyer si mundësi për të shprehur ndjesitë dhe reflektimet e mia mbi realitetin e pasluftës nëpërmjet artit, pra përmes krijimtarisë sime kam pasur mundësinë t’i shprehi ndjenjat e zemërimit, shqetësimit dhe dëshirës për ndryshim.

Nga pengesat që keni hasur a ju ka ndodhur ndonjë moment kur keni thënë në heshtje se doni të largoheni nga ky profesion? Në çfarë raste apo nuk keni pasur kësi raste?

Suad Rama: Edhe pas kaq shumë sfidave dhe pengesave në rrugëtimin tim si artist, as edhe një herë nuk ka qenë alternativ lënia ose braktisja e profesionit tim. Pra, ka qenë e kundërta sa më shumë që kam hasur në sfida aq më shumë është shtuar dëshira, pasioni dhe forca për të vazhduar përpara me bindje edhe më të madhe!

A mendoni se është rritur interesimi i qytetarëve në vendin tonë të shkojnë në ekspozita. Si mendoni?

Suad Rama: Po mendoj dhe besoj se këto 3 vitet e fundit dukshëm vërehet interesim më i madh nga qytetarët për të vizituar galeritë. Një fakt më shumë është se pothuajse çdo ditë pranoj mesazhe me pyetje nga njerëz të ndryshëm të cilët duan të dinë gjithçka rreth artit figurativ sidomos pikturës.

Për fund, një porosi për krejt ata të rinj që e duan artin?

Suad Rama: Në këtë rrugëtim të bukur, merrni kohën tuaj, bëni hapa të vegjël çdo ditë, dhe ndihuni të lirë të shprehni atë që keni brenda. Arti është jeta që krijoni dhe jeta është një vepër e artit. Ju jeni kreatorët e të ardhmes, udhëheqësit e ndryshimeve dhe shpirti i ngrohtë që i jep jetë botës së artit.

ObserverKult


Lexo edhe:

KUSH ISHTE PIKTORI QË ILUSTROI “HISTORINË E SKËNDERBEUT”

Jost Amman (1539-1591) ishte piktor gjerman, lindi në Zyrih të Zvicrës në një familje intelektuale me prejardhje gjermane.

Më 1560 u shpërngul në Nuremberg të Gjermanisë. Aty jetoi deri në fund të jetës së tij.

Studio në Francë, bashkëpunoi me piktorë të dëgjuar. Dhe bëri piktura në qelq për familjet e shquara. Tërhoqi vëmendjen e tipografëve të Nurembergut. Për gdhendjen e gravurave në dru. U shqua pasi bëri portrete të personaliteteve të mbretërve të Francës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult