Suela Bako: Jam në dashuri sot…

suela Grua! Gush’aromëftua, A s’më thua? Si ja del, e uruar? Të qëndisësh, Të arrnosh, Të gatuash… Të lash Të pastrosh Të kruash…


Jam në dashuri sot…
Me aromën e kafes, vesën e mëngjesit, kaçurrelat e mikeshës hedhur supeve.
Të miat kaçurrela me ftojnë në ngasje, dua t’i harroj…

Jam në dashuri sot,
Me buzët e tim biri, aromën e djersës së vajzës sime, rrezet e diellit në shtëpinë rrëmujë, tim shoq që përsëri i hodhi pizhamat në shesh…

Jam në dashuri sot,
Edhe me ty, që shtrembër me pe dje nga xhami i makinës,
Edhe me ty që s’më the “sa e zonja je!”, e mendove gjithsesi, unë e di.
Me ty, që të prish ritmin e frymëmarrjes gjithashtu…edhe me ty,
me ty që më shoqëron në heshtje me sy…akoma me shumë…

Jam në dashuri sot,
me këpucët e mia të vjetra kamoshi, ngjyrë kafe e pjekur, a bluar…s’di;
me xhinset qe më rrijnë njësoj si atëherë kur isha 19 dhe ndieja pas shpine sy që rrëzoheshin,
në unazat e mia mbledhur viteve; pako flori-kujtimesh në një gisht të vetëm, gishtat e mi thonjngrënë,
Syzet me shenja gishtash; yllin mbi vesh…
Oh, zhurmën e tastave mbi ekranin me prekje…
Pastaj me ty,
Persëri me ty,

Në dashuri;
Sot,
nën këtë ditë dimri me diell?!
Oh…lëre…qenkam në dashuri me ty!

ObserverKult

Lexo edhe:

SUELA BAKO: GRUA SI JA DEL?