Marsel Lela: Një grua shkon rrugës

Marsel Lela

Një grua shkon rrugës
E zhveshur me sy,
E puthur me sy,
E kafshuar me sy.

Me sy e masin,
E peshojnë,
I marrin masat e belit,
Vitheve,
Gjoksit,
Qafës.

Me sy i flasin,
Syrin i shkelin,
Me sytë katër
E kundrojnë
Atë që për ta parë
S’mjaftojnë një mijë sy.

Një grua
Shkon rrugës
E veshur
Sipas modës së saj.

Ndërron moti
Prej ndjesive
Që i shëtisin
Nëpër buzë,
Sy e faqe.

Kalushë persianë
Shëtisin formave
Të saj,
Ndalojnë oazeve
Ku etjeshuar
Turfullojnë
Me sytë mbi kodra.

Një grua
Shkon rrugës
Flladitshëm.

Kompozuar me psherëtima,
Parfumosur me fjalë,
Qëndisur me epitete,

Ajo është poezia
Që shkruhet përditë
Në antologjinë e udhëve.

ObserverKult

lexo edhe:

MARSEL LELA: SHTËPIA ËSHTË STREHA KU KA GJITHMONË NJË VEND PËR TY