Sueton Zhugri: Kam rënë në dashuri me Hënën…

Kam rënë në dashuri me Hënën,
e dua!
Mos më vështro
me atë shikim prej káli.
Nuk jam i ngurosur në këtë trup,
Nuk jam në këto vena maví,
Nuk jam,
ky kryqëzim
dejesh,
Nyjesh kockore,
hartash nervore,
kafkoj jashtë këtij dimensioni,
kafshën brenda meje e kam asgjesuar.

Këtë çast jam
Cicërima e harabelit
që fluturoi mbi bahçen tënde,
jam era e detit
që ta mërdhin ballin,
jam klithmat e kërmijve që mbyte këtë pranverë,
Jam lulëzimi i trëndafilave të hijshëm
mbi gjakun e tyre,
Jam dhimbja e barit
nën peshën e sandaleve të tua,
Jam shiu që t’i lag qerpikët me lumturi,
Jam mornicat e mishit tënd,
nën bukurinë e poezisë së atij tjetrit,
Jam lëngu i jetës nën ullukët e zemrës tënde.

Kam rënë në dashuri
me Hënën,
Dhe sot do marr udhëtimin
mbi krateret e saj…