Sueton Zhugri: Mbi tavolinë kam lënë adresën e varrit…

Sueton Zhugri atome askënd
Sueton Zhugri


Mbi tavolinë kam lënë adresën e varrit
që të shkosh të ujisësh fotografinë
dhe lulet në verë, (mos u merr erë,
është shumë herët)
Si edhe dyrrotakun e vjetër, diellin nuk ta vjedh kush,
dil e ngrohu kur e sa të duash.
Po ta lë ty, siç ma la ime më.
Hënën me yjet mblidhi në një shportë
e mbaji si kurorë mbi çati. Janë të gjithë tuat.
Puhizën e agut thellë mbi liqen
e paç amanet, thithe deri në fund, nuk ka gjeografi, as padron.
Edhe këngën e rosave t’egra. Ruaje në shpirt.
Mos prit nga të tjerë. Ke lindur i lirë.
Puth vetëm këmbët e tua, edhe kur mbyll sytë.
Kometat janë sivëllezërit e tu.
Shaloji si kuaj dhe fluturo abisin me to.
Të lë amanet edhe qiellin, mbulohu me blu
sa herë të mbetesh lakuriq. Zogjtë e shesin
me copëza pa leje çdo ditë, askush nuk u kërkon llogari.
Por s’ka gjë, del e tepron në pafundësi.
Dheu i tokës dhe rëra e detit janë shtrati yt.
Rehatohu kur të duash. Ti je prona jote.
Atdheu yt është lëkura jote.
Lotët burimi yt. Të kam falur buzët dhe sytë, por edhe kockat e brishta.
Jepja fëmijës tënd. Të lirë e të mirë.
Mbaj hapur portat e zemrës.
E vetmja gjë që s’është jotja është dashuria.
Dhuroje! Ti je pjesë e së tërës,
që është edhe pjesa jote.
Mos kërko lumturinë, ajo do të vijë të kërkojë ty.
Është e palimit. Puthmë ballin e fotografisë mbi pllakë.
Lamtumirë bir…

ObserverKult

—————————————-

Lexo edhe:

sueton zhugri nesër e vogla ime

SUETON ZHUGRI: ARKITEKTURA E SHPIRTRAVE

Je ti shpresa ime,
e unë jam sytë e tu.
Pranë flakës së zemrës sime
eja ngrohi duart.

Në këtë moshë jemi të dy bubulakë
si dy faqe fëmijësh të turpëruar
Puthma ngadalë ballin
por mos lexo rrudhat mia…
shumë ditë mbytur janë aty

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult