
A nuk të duket
dhe ty
se
është e tmerrshme të jetosh
pa dashuri?
Lumi kur rrjedh e ti nga bregu
sheh peshqit që puthen me afsh
Kur sheh flatrat e zogut
që mbulon të vegjlit nga shiu
Apo një leopardeshë që shqyen një kec
se kotelja e saj ka uri,
Përleshjen e reve me detin
në vijën e horizontit kur vështron
Nuk vallë e kupton?
Si kunguj nën të njëjtën sqetull
më vijnë mendimet për ty
Me shpatullat e lagura nga frika,
e qeshura jote si shall më mbështjell
Shportat e ëndrrave
zbresin si parashuta pushtuesish
Më cicërojnë idetë në tru
si të ishin prej sqepi,
Fytin e kam prej qerpiçi
duke të përmendur emrin
M’u kalbën fjalët
nga vjeshta e kuptimeve
Shtrydh sytë si kokrra gruri
dhe mbi ty
mbjell filiza shikimesh,
I var si tesha
dëshirat në horizont
Që të përskuqen edhe më…
U krijuam nga
dashuria a mllefi
kështu për tu vetmuar?
A nuk ndien,
krijesë mbitokësore
udhëve kaluar
se unë
dhe vetëm unë…
të dua?
4.2.2025
ObserverKult
Lexo edhe: