Sueton Zhugri: Qerpikëshkruese


Çdo herë ti e sjell detin me vete
E unë mbytem në sytë e tu.
Lëri të qeta guackat e trishtimit
Gjuhët e lëngështuara të midhjeve
Fruta të një klime ekuatoriale

Oh ankorë e një ëndrre të pajetuar,
Ku është kënga ime e shkruar
me qerpikët e tu ngjyer bojës së muzgut?
Alfa dhe Omega që me hapa të pakujdesshëm
thyejnë vezë zemre të sapoçelur

Ti sjell detin me vete,
Dhe hënën në një shportë
si thelë bostani të verdhë.
Le të mbjellim një farë përqafimesh
Ululate kënaqësie që varen buzëve
Si çifte qershizash,
Luleborë vallëzuese të një pranvere diellore

Zëri yt
-më i ëmbli tingull
Këngë e një yjësie të humbur
Eja, eja shpirt të notojmë qiellin,
Ti sille detin fshehur nën vetulla
e unë do të të dhuroj valët…