Syri i Cikllopit, vendi ku bisha dha shpirt e pas tij mbeti një liqen në formë zemre…

Syri i Cikllopit ose siç i thonë ndryshe Gjurma e Ciklopit ndodhet rreth 4 km poshtë Krrabës, në fshatin e quajtur Skuterrë, në luginën e lumit Erzen. Ai është rreth 20 m i gjerë dhe 120 m i thellë si një perlë e fshehur në grykën e Krrabës.

Një humnerë e vogël rri në fund të shkëmbinjve të Krrabës, dhe poshtë saj është një liqen me ujë të smeraldtë, për të cilin thonë se është vendi ku bisha dha shpirt e pas tij mbeti një liqen në formë zemre. Shkurtimisht kjo legjendë flet për një bishë të stërmadhe (pothuaj të gjitha legjendat shqiptare kanë një gjigand apo një ciklop), e cila e përndjekur nga banorët e zonës, pas shumë dëmeve që kishte shkaktuar, përfundoi pikërisht poshtë këtyre shkëmbinjve.

Si të gjitha legjendat që trupin dhe kokën i kanë në imagjinatë por këmbët i kanë të ngulura fort tek e vërteta, edhe në këtë rast, shihen disa gërvishtje të thella në shkëmb dhe liqenin e mrekullueshëm në formë zemre.

Por dhe peizazhi fare i virgjër natyror rreth e përqark, nuk është më pak mahnitës. Një degë e Lumit Erzen, rrjedh në formën e një katarakti të vogël, e bashkë me formacionet e shumta të shkëmbinjve krijojnë një peizazh përrallor.

Mund të thuhet pa frikë se kjo pikë natyrore është një nga zbulimet e fundit të bëra nga aventurierët e natyrës. Syri i Cikllopit është kthyer në një destinacion për relaks dhe argëtim. Përveç pamjes mahnitëse ai krijon mundësinë të notohet gjatë ditëve të nxehta të verës./tirana.al

LEXO EDHE: Syri i Kaltër, legjenda e gjarprit gjigant që krijoi mrekullinë e natyrës