Sepse shpresë s’majë m’u kthy apet
Sepse shpresë s’majë
Sepse shpresë s’majë m’u kthy
Dhuntitë e kti dhe qëllimet e ati m’i pasë kâjë
Un ma s’msyjë me msy, gjanav t’tilla i graht
(Pse shqiponjës t’plaktë i duhet me’j hapë kraht?)
Pse un duhët me vajtu
Fuqinë e zhdukt t’sundimit t’rëndomtë?
Sepse shpresë s’majë me njoftë
Madhninë e brishtë t’nji ore t’padyshimt
Sepse un s’menoj
Sepse un e di qi un s’duhët me ditë
T’vetmën fuqi t’s’vërtetës t’përkoht’
Sepse unë s’muj me pi
Atje, ku behari, dhe pranvera rrjedhë, sepse atje nuk ka
asgja apet
Sepse un e di qi koha është gjithher’ kohë
Dhe vendi është përher’ dhe veç ven
Dhe çka osht e tashme osht e tashme veç për nji kohë
Dhe veç për ni ven
Un gzohna qi senet jon qysh jon dhe
Un-i em ftyrës t’bekume moh i bjen
Dhe moh i bjen zanit
Sepse shpresë s’majë m’u kthy apet
Prandaj gzohna, tuj pasë diçka me maru najsen
me t’cilën m’u gzu.
Dhe i lutna Zotit mbi ne me lshu mshirën e vet
Dhe lutna qi un t’muj me’j harru
Kto sene qi me veten aq shumë i boj muhabet
Kaq shum shpjegim
Sepse shpresë s’majë m’u kthy apet
Le t’dhojnë xhevap kto fjalë
Për atë qi osht bo, mos m’u bo mo
Ishalla gjykimi për neve s’do t’jet aq i ranë
Lutu për ne mkatarët tash dhe n’orën e dekës tonë
Lutu për ne tash dhe n’orën e dekës tonë.
II
Zojë, tre leoparda t’bardhë u ulën nër ni dru t’dullisë
N’freskun e ditës, tuj u rrasë dej n’fun t’tërrpisë
me kamtë e mia zemrën tem mëlçinë tem dhe me at qi ish
kon përmbajtë rreth’i thatë i kafkës tem. Dhe Zoti tha
A duhët kto eshna me rrnu? A duhët kto
Eshna me rrnu? Dhe ajo me t’cilën ishin përmbajtë
Eshnat e mia (që tashmë ishte e thame) tha kujisshëm:
Për shkak t’mirsisë t’ksaj Zoje
Dhe për shkak të dashnisë t’saj, dhe për shkak
Se ajo neron Virgjinën nër t’menduem,
Ne shndrrijmë me shkëlqim. Dhe unë qi jom ktu shtihavshëm
tu ja ofru veprat e mia harresës, dhe dashninë tem
Për breznitë e shkretinës dhe frytit t’pocërrkës.
Osht kjo qi i shnoshë
Lukthdhimtë e mija telat e syve t’mi dhe racionet e patretshme
Qi Leopardët refuzojnë. Zoja është tërhjekë
në ni fustanellë t’bardhë, n’soditje, në ni fustanellë t’bardhë.
Leje bardhninë e eshnav me’j la fajet ndaj harrimit.
Nuk ka jetë ën to. Sikur që jam i harrumë
dhe do të mun’ t’harrohem, ksisoj do t’mun t’harroj
ksisoj devotshëm, i përqëndrumë n’qëllim. Dhe Zoti i dha
Profeci erës, erës vetëm erës sepse vetëm
Era do të ngonte. Dhe eshnat knunë kujisshëm
Me barrën e nji karcylli, tuj thanë
Zojë e heshtjeve
E qetë dhe shqetsume
E çkyme dhe ma e plota
Drandofill i kujtesës
Drandofill i harresës
E shūme dhe jetdhanse
E merakosun qetsindjellse
I vetmi drandofill
Osht tani bashqja
Ku krejt dashnitë marojnë
Jepju fun mundimev
t’dashnisë t’paknaqun
Fundi i pafundsisë
T’udhtimeve pa fund
Konkluza i t’gjithës qi
osht e konkludushme
T’folun i pafjalë dhe
Fjalë e asni t’folmje
Hiri koftë për Nanën
Për Bashqën
Ku e gjith dashnia maron.
Nër drunin e dullisë eshnat knunë, t’çkepta dhe vezulluse
Na jem t’knaqun me kon t’çkept, ne i bojmë shumë pak t’mira njoni
tjetrit.
Nër drunin në freskun e ditës, me bekimin e zallit,
Tuj harru vetveten dhe njani tjetrin, t’bashkumë
N’qetsinë e shkretinës. Kjo është toka qi ju
duhet ta dani me short. Dhe as m’u da as m’u bashku
s’kan rëndsi. Kjo është toka. Na e kemi hisën tonë.
III
N’kthesën e parë t’shkallarës s’dytë
U ktheva dhe kqyra poshtë
E njejti karm i parmakut t’kthytë
Nër dahin e ajrit t’ndytë
Tuj luftu me dreqin e shkallve qi e vesh
t’shpresës dhe t’dëshprimit ftyrën e lytë.
N’kthesën e dytë t’shkallarës s’dytë i lashë
ato m’u shtramu, tu u kthy përposht;
S’kish ftyra tjera dhe shkalla ish e terravt
E lagt, nofullore, si goja e ni plaku t’përjargt, e pamundshme m’u ndreqë tash
Ose gërrmazi i dhomzumë i ni peshkaqeni t’vjetravt
N’kthesën e parë t’shkallarës t’tretë
Ish ni dritare e mshelt si fryt fiqi
Dhe përtej lulzimit t’murrizit dhe ni skene livadhizëse
Vesht kaltër e blertë, figura shpërfillse
Tuj e shiju majin me ni fyll antik
Floku i lulzumë osht i omël, floku i kaftë mbi gojë lulzon,
Jorgavan dhe flokbrunë;
Zbavitja, muzika e fyllit, ndalimet dhe hapat e mēnës
në katin e tretë ushtunë,
tuj u fashitë, tuj u fashitë; përtej shpresës dhe dëshprimit kjo furtunë
katin e tretë e nxunë.
Zotynë, un s’jom i denjë
Zotynë, un s’jom i denjë
por veç fjalën e thom.
IV
Kush eci n’mes vjollës dhe vjollcës
Kush eci udhës s’midisshme
T’nuancav t’ndryshme të s’blertës t’larmishme
Tuj shku ën t’bardhë dhe n’t’kaltërt, n’ngjyrën e Marisë,
Për sene triviale tuj bisedu
Në injoracën dhe dijën e vujtjes s’përjetsisë
Që vlizë n’mes tjerve gjat ecjes s’tyne,
Kush atherë i boni t’forta burimet dhe t’freskta pranverat kush i ka maru
E boni taze gurin e thatë dhe e boni t’fortë ranën
n’kaltrinë e zhabinës, t’kaltrën e ngjyrave t’Marisë
Sovegna vos
Ktu jon vjetë që kalun n’mes, tuj heshë’
larg violat dhe fyllat, tuj ndreqë
Atë që lëvizë ën kohë mes gjumit dhe zgjimit, veshë
T’bardhën dritë t’palume, t’preme për te, t’palume.
Vitat e ri ecin, tuj ndreqë
Përmes nji reje t’shndritshme t’lotve, vjetë, tuj ndreqë
me ni varg t’ri rimat e lashta. Jepi shpengim
Kohës. Jepi shpengim
Vizionin e palëqitun në t’naltin andrrim
Përdersa njibrijshat e xhevahirt tërhiqen prej qerrës t’prarume t’xhenazev
Motra e heshtun e mlume n’t’bardhën e t’kaltrën
Mes bërshenve, mas zotit t’bashqës,
Fylli i s’cillit osht i pafrymë, e pshtetë krytë bon me shejë por s’e flet
ni fjalë.
Por burimi dulë dhe zogu knoj
Jepi shpengim kohës, liro andrrën
Isharetin e fjalës t’padëgjume, t’pafolt
Dej sa era t’I shkunë mijra pëshprimat prej bërshenit
Dhe mas ksaj, mërgimin tonë
V
Nëse fjala e humbun ka hupë, nëse fjala e qitun osht qitë
Nëse e padëgjumja, e pafolta
Fjalë s’osht folë, s’osht ngu:
Hala e pafolta fjalë, e padëgjumja Fjalë,
Fjalë pa asni fjalë, Fjala mrena
Botës dhe për botën;
Dhe dritat shndritën n’terr dhe
Kundrejt Fjalës bota e paqetë hala sillët
përreth qendrës t’Fjalës s’heshtun.
O njerzt e mi, çka j’u kom bo juve.
Ku duhët fjala m’u gjetë, ku do t’kumbon
Fjala? Jo ktu, nuk ka heshtje t’mjaftushme
E as ën deti e n’ishuj, as
n’kontinent, n’shkretinë ose n’tokën me shi,
Sepse ata qi ecin n’errsinë
Edhe nëpër ditë e edhe nëpër natë
Koha e duhun e as vendi i duhun nuk jon ktu
Asni vend me pshtu për ata qi i shmangen ftyrës
Asni kohë m’u gzu për ata qi ecin mes zhurmës dhe e mohojnë
zanin
A do t’lutet e mbulumja motër për
Ata qi ecin nëpër errsinë, qi ju dojnë juve dhe ju kundërshtojnë juve,
Ata qi jon t’çkymë n’ bri mes stinës dhe stinës,
kohës dhe kohës, n’mes
Orës dhe orës, fjalës dhe fjalës, fuqisë dhe fuqisë, ata qi presin
N’errsinë? A do t’lutet e mbulumja motër
Për fmitë ën derë
Qi s’do t’shkojnë ma tej, dhe s’mund t’luten:
Lutu për ata qi i don dhe i kundërshton
O njerzt e mi, çka j’u kom bo juve.
A do t’lutet e mbulumja motër në mes t’hollve
drunj t’bërshanës për ata qi e ofendojnë ate
Dhe janë t’tmerrumë e s’mujnë t’dorzohen
Dhe pranojnë para botës dhe mohojnë n’mes gurve
N’shkretinën e fundit para t’fundëmve gurë t’kaltërt
N’shkretinën n’ bashqe bashqën n’ shkretinë
t’thatsirës, tuj pshty prej goje farat e mollës t’vyshkt
O njerzt e mi.
VI
Megjithse shpresë s’majë m’u kthy apet
Megjithse shpresë s’majë
Megjithse shpresë s’majë m’u kthy
Tuj u mëdysh me humbjen ose fitmin
N’kalimin e shkurtë ku andrrat bojnë kalimin
Muzgu i andërrkalimev n’mes lindjes dhe deksë
ndonse un s’du me’j dashtë kto sene (Falëm o Zotynë)
Prej dritarës t’gjanë drejt bregut gurnor
Velat e bardha hala flutrojnë drejt detit, flutrojnë drejt detsë
Kraht e pathymë
Dhe zemra e humbun ronohet dhe i jep zemër vetit
N’jargovanin e humbun dhe n’zanat e humbun t’detit
Dhe shpirti i dobt gutët m’u rrebelu
Sepse shufra e artë e përkulne dhe era e humbun e detit
Ngarendin m’u kfjellë
Kajtja e thllanzës dhe i pikaloshes sjellë
Dhe syni i verbumë i bon kreatyrë
Format boshe n’mes t’fildishtav dyrë
Dhe era përtrinë shijën e krypës t’tokës ranore.
Kjo osht vakti i tensionit mes dekës dhe t’lemit
Vendi i vetmisë ku tri andrra kalojnë
N’mes gurve qi kaltrojnë
Por kur zanat e shkunt prej drunit t’bërshenit zhduken
Leje tjetrin bërshen m’u shkunë dhe m’u përgjigjë.
E bekumja motër, e shejta nanë, shpirti i burimit, shpirti
i bashqës,
Mos lejo qi na me turpnu veten me rren
Na mso m’u kujdesë dhe mos m’u kujdesë
Msona m’u ul hala
Madje edhe n’mes ktyne gurve,
Paqja jonë koftë nër dëshrimin e tij
dhe madje edhe n’mes ktyne gurve
Motër, nanë
dhe shpirti i lumit, i detit shpirt i bardhë
Mos lejo qi na m’u nda.
Dhe leje vajtimin tem te Ti me ardhë.
Në shqip: Ilir Breca