Ta ruash fëmijën brenda teje do të thotë t’i kalosh përbri padrejtësisë, egoizmit, shëmtisë dhe të mos e prekësh me dorë…

Nga Vjollcë Berisha


Të ruash fëmijën brenda teje s’do të thotë të vraposh rrugëve me balonë laramane megjithë rrudhat e ballit e thinjat e flokëve, as të vizatosh qiellin e kaltër me ndonjë re miqësore të bardhë.
Të ruash fëmijën brenda teje do të thotë ta dish se qielli është aty. (Sa shumë njerëz e harrojnë për ditë të tëra këtë fakt!)

Ta ruash fëmijën do të thotë t’i kalosh përbri padrejtësisë, egoizmit, shëmtisë dhe të mos e prekësh me dorë.
Ta ruash fëmijën do të thotë të bësh më shumë se një foto feisbuku në ditën e tij. Të mos ia minosh udhën nga ka për të kaluar vetëm se ti ke kohë që i ke mbushur të tetëmbëdhjetat dhe ke të drejtë të zgjedhësh e të zgjidhesh me votë. Të mos ia vjedhësh kambanën përjetësisht, duke mos i lënë zile alarmi në asnjë rast rreziku. Të mos ia rrënosh pikat e referencës që ai të mos e dijë se si duhet të duket shkrimtari, mësuesi, politikani, gazetari, mjeku… në të vërtetë. Pika e rrënuar e referencës, referenca e keqe, është ajo që kurrë s’do ta lejojë t’i dijë përmasat e së vërtetës, përmasat e botës që dëshiron ta krijojë. S’ka për ta kuptuar se hijet e mëdha të gjësendeve shfaqen kur dielli është duke perënduar.

Ji ngapak fëmijë përherë, por ki mendjen ç’shtet e ç’shoqëri po i mundëson atij përditë.
Ji fëmijë buzagaz, jo qaraman, e as tepër i dëgjueshëm! Bëje për ty dhe fëmijët në rritje!

ObserverKult


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT/ VJOLLCË BERISHA: PRISHTINA ËSHTË QYTETI KU RREH BUSULLA IME E MALLIT, E DASHURISË!