
Takimi i fundit… poezi nga K. M. Fofanov
Nga dashuria e parë
Gjithçka qe shuar shpejt.
Prej kohësh qenë dashur
Dhe qenë ndarë krejt.
Ai i vetëm mbante
Plot brenga në kraharor,
Ajo me tjetër ndante
Gëzim’ e vet rinor
Po ja, se ku papritur,
Kjo vjeshtë i bashkoi,
Kur digjej perëndimi,
Si jeta që u shkoi.
Në pyll, mes degë pishash,
Hyn dielli q’u përflak.
Ai mendon. Ç’u vyshk!
Ajo mendon: Ç’u mplak!
Ai s’i thosh dot – “Juve”
Ajo s’i thosh dot – “Ti”,
Të fundmit lule vjeshte
Këputnin tok tani
Do deshin fort të thoshin
Plot gjëra përsëri
Dhe përsëri të qeshnin.
Po s’mundnin kurrsesi.
Asaj i dridhej zemra,
Atij i therrte fort…
Të heshtur krejt u ndanë,
Kurrgjë s’kujtuan dot…
Shqipëroi: Petraq Kolevica

————————————————————————————————–
LEXO EDHE: Petraq Kolevica: Ajo- e heshtur dhe e zbehtë, ai- i zhytur në trishtim…
Do shkojnë vitet me të shpejtë
Po do më shfaqet ky vegim:
Ajo – e heshtur dhe e zbehtë,
Ai- i zhytur në trishtim.
Dhe rrinin, rrinin të harruar,
Sikur nga bota ishin ndarë.
Ajo – me flokë të lëshuar,
Ai- me pamjen aq të vrarë.
Po njëri-tjetrit asaj ore
I ndiznin zjarrin e pasosur,
Ajo – me pamjen engjëllore,
Ai – me zemrën e vrerosur.
Do shkojnë vitet me të shpejtë
Po do më shfaqet ky vegim:
Ajo – e heshtur dhe e zbehtë.
Ai – i mbytur në trishtim.
—————————————————————————————————
LEXO EDHE: Rrëfehet bashkëshortja e Petraq Kolevicës: Si më kërcënuan sigurimsat në zyrë! Do të degdisim…
Konstruktorja e ndërtimit të shumë objekteve industriale dhe shoqërore në gjithë Shqipërinë rrëfehet për kapitullin profesional në jetën e saj. Pesha e përgjegjësive, mandej martesa me arkitektin e mirënjohur, Petraq Kolevica, do e lëkundte jo pak jetën e saj familjare.
Akuzat direkte politike ndaj të shoqit dhe si ai i shpëtoi burgimit. Survejimet e shpeshta të Sigurimit të Shtetit në zyrën e saj të punës apo tentativat e akuzave për sabotim në spitalin e Përmetit janë vetëm një pjesë e eksperiencës jetësore të gjermanoshqiptares, Edith Logoreci Kolevica.
Pakkujt që lëviz kalimthi nëpër Shqipëri apo që rastësia e çon nëpër qytete të ndryshme të vendit, e di se shumë prej ndërtesave të rëndësishme publike, si spitalet shtetërore apo objekte industriale, si fabrika dhe uzina (sot të dalë jashtë funksionit dhe të braktisura në mëshirë të fatit) mbajnë autorësinë e punës së një shqiptaro-gjermaneje, siç është edhe Edith Kolevica…
TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU