Të pres gjithë jetën e jetës… poezi nga Jorgos Kanelopoulos
Mbaj letrat e tua ngjyrë deti
në dorë edhe rri i lexoj,
trishtimi më ngjeth e sikleti,
kur kthehem e prapa vështroj.
Oh! letrat me ngjyrën e detit,
kujtime të brishta plot mall,
më shkruan gjithçka mes rrëmetit
por s’thua: do kthehesh prapë vallë?!
Të pres gjithë jetën e jetës,
por s’ ndodhin, or jo, mrekullira,
ringjallja përtej së vërtetës,
në letrat e tua gjithë ngjyra.
Ah, letrat e tua ngjyrë deti,
çdo fjalë një thikë që më therr,
dhe pika e lotit që pyeti,
më thuaj: çfarë krimi kam bërë?!
Shqipëroi: Arqile Garo
————————————————————————
LEXO EDHE: Kur më hedh vështrimin, zemra më tërbohet…
Poezi nga Vasilis Michailidhis
O zot, sa lezet, ç’bukuri hyjnore!
që dallon ndër shoqe rrugës kur kalon.
Mes turmës së mjerë krijesë qiellore,
flladin vajzëror tërë gaz rrezaton.
Ajo nis e flet, muzikë ëngjëllore
ndihet, edhe zemra rreh me ngashërim.
Ajo nis hedh hapin, ti mendon se: “prore
me flatra të arta ngrihet fluturim”.
Të duket se mban shpatë të flakëruar,
me urdhër së larti jetën e sfidon,
flamurin e Zotit shpalosur në duar
dhe çdo vdekëtar drejt lavdisë e çon.
Tek sheh ato hire mbetesh mrekulluar,
syrin, mendjen, trupin, seç t’i skllavëron.
Të thotë shpirti yt shko i gjunjëzuar,
shpirti po të lutet, falje të kërkon.
Kur më hedh vështrimin, zemra më tërbohet,
më qetohen plagët ndën atë balsam.
Duket se në shekuj jeta më zgjatohet,
duket se mbi tokë i pavdekshëm jam.
Më duket se qiejt, retë, i kam zaptuar,
veten e përqas veç me perëndinë.
Çaj dallgët e detit, kapiten i shquar,
harroj Zotin vetë, botën, njerëzinë.
Duket se m’ofron dhuratë qiellore,
dhuratën hyjnore heshtaz ma blaton.
Më çon në sallone hyjnish, madhështore,
hap dyert e rënda e të hyj më fton.
Dehet truri im, gjen shpirtin e dehur,
veç një zë përbrënda nuk më lë në baltë.
“Vashë, atë vështrim mos ma mbaj të fshehur
dhe në qenka vdekja, është e ëmbël mjaltë”.