Sokrat Habilaj: Të dua, të dua, thjesht pa kushte…

Të të dua, s’mund të jetë e njëjta gjë,
Si të duash një imazh me mish e gjak.
E pasi të kesh puthur, poret një nga një,
Të thuash se çdo dashuri e ka një cak.

Duhet të të dua, të të dua ty gjithçka,
Të të dua kur qan, të të dua kur qesh.
Të të dua puthjet, a ndarjet e mëdha,
A gjërat që kurrë s’do t’i marr vesh.

Të të dua fjalët që nuk i the asnjëherë,
Ëndrrat që pa lindur i mbulon me dhè.
Të të dua dhe lotin pa nisur të të bjerë,
Të të dua edhe për ato që ti m’i fsheh.

Të të dua tymin, që përhapet i lodhur,
Duke lënë buzët, nëpër llava zjarresh.
Të të dua dashuritë që s’ti kam njohur,
E brenda teje digjen, si bishta cigaresh.

Të të dua, pa dashur të të pyes më tutje,
Në ato që s’shoh, kam as s’kam pjesë.
Të të dua, të të dua, thjesht pa kushte,
E të mos kafshoj buzët që të zura besë.