Teodor Keko është njëri ndë autorët më të dashur shqiptar. Shquhet për antikonformizmin, mjeshtrinë e të shprehurit thjesht dhe thukët dhe emocionalitetin në poezi.
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur me poezi të Kekos:
UNË ‘AI’, TI ‘AJO’
Ja, ra mbrëmja. Ti s’je më.
Ku ke shkuar? Unë s’e di.
Ne u prishëm për hiçgjë,
edhe gjatë do mbajmë mëri.
Do harrohen telefonat,
nëpër pellgje sytë do na thahen.
Si prelud do bjerë nga qielli,
një dëborë… kristal i bardhë.
Dhe kështu, gjersa një ditë,
të na thotë jeta ne: Harro!
Do të mbesim anonimë,
do të jemi ne përemra,
Unë “Ai” dhe ti “Ajo”.
Mbi ne ra ndarja si një dëborë,
mbuloi gjithçka: puthjet dhe fjalët.
Dhe vitet shkuan dalngadalë,
ujrat u ndotët, lumejtë u thanë.
Por, qaramanë, jo, s’do të bëhemi,
se na u thye ëndrra ty dhe mua.
Ndonjë ditë nëpër botë,
sytë tanë kur të takohen,
s’do të ketë urrejtje brenda.
MOS U TRISHTO, E SHTRENJTA IME!
Atëherë ditët qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Në muzg t’i shfaqeshe e brishtë
me hënën flokëve -karficë e bardhë.
Dhe parqeve të qetë gjer vonë
ne putheshim. Dhe prapë.
Në gjoksin tim kokë e verdhë
në rrugë ëndrash galop kish marrë.
Tani janë larg parqet e blertë,
të heshtur pimë kafe në klub.
Po mbrëmjet prapë jargavan janë
dhe kokën tënde e ndjej në sup.
Mos u trishto, e shtrenjta ime!
Ne prapë duhemi dhe heshtja sot
që ne jemi të pavdekshëm
dhe përjetsisht të bukur thotë.
Atëhere mbrëmjet qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Po shih! përmbi tryezë t’u ul
në flokë hëna-karficë e bardhë…
LARG SYVE MBETËN BUZËQESHJET…
Larg syve mbetën buzëqeshjet
dhe dashuritë nga zemrat larg.
Veç vdekja afër, fare afër
me dorën ngritur qëndron në prag.
Dëgjoj trokitjen, puthjen ia ndjej,
shprishje gjymtyrësh në trupin tim.
I dashuruar pas dashurisë
mbeta i veshur me qejf.
Sot s’është çudi në prag të jetë
duke trokitur vetë dashuria.
Por unë s’e njoh. Kam frikë. S’hap derën.
Drejt vdekjes shkoj, siç një jetë ika.
MË MUNDON
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
fjalët ti m’i ktheve në harrim,
në qiell është hëna, s’i them dot hënë
s’të flas dot për mjegullën në agim.
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
në gjoks ti vër çdo fjalë në vend të saj.
Pastaj do të përkund në një djep-këngë,
me hënën flokëve si karficë e bardhë.
Dhe nëse rrugët për në zemër dot s’i gjen,
më thuaj të t’i zgjas gishtërinjtë e mi.
Mbi ta mbështete kokën,
dhe për një çast ti pendë do të kthehesh,
brenda meje do të vërtitesh, shpirt!
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
kur ti je kaq pranë dhe kaq e thjeshtë,
u këput një gjethe nga një pemë,
e verdhë si harresa … ishte vjeshtë.
TË KAM DASHUR
Të kam dashur, të kam dashur
zemra ime zog i brishtë
nëpër erëra të kërkon.
Fishkëllen motiv’n e hershëm
një përgjigje merr të trishtë
heshtje varri që heshton.
Të kam dashur, të kam dashur
m’u lodh zemra në kërkim
krahëkëputur ra mbi breg.
Peshkatari që e gjeti
vetë u mbyt në një trishtim
gjakspërkatur si një shegë.
Të kam dashur, të kam dashur
me aromë të ndoqi zemra
nëpër erëra e murlane.
Era fryu jug-veri,
nga të shkoj, klithi e shkreta
unë pa zemër jam kësaj ane
Të kam dashur, të kam dashur
i vetmuar zemrën pres
mal trishtimi në këtë glob
Era fryn, aroma bie
zemra ime nuk po vjen
oh, ka ngrirë në një pol.
Të kam dashur, të kam dashur
mirë, mos eja, nëse s’do
veç një diell ngri në skaj.
Të çlirohet zemra ime
lidhur akujsh nëpër lot,
zemra ime e pafaj…
TRISHTIMI
Trishtimi. Ai vetëm mua më përket!
Iku një vajzë. E desha dhe i thashë shko!
Jeta ime boheme në dy metra katrore vdes.
Vdekja! Ç’fjalë e trishtme dhe e fortë!
Nuk vdes njeri nga dashuri e humbur.
Sidoqoftë, dhimbje ka.
Edhe vdekja në metastaza dhembjesh është strukur,
galopi i tyre baraz me hata.
Po bota jeton. Jeton njeriu.
Me dhembje, dhe më i lumtur.
Unë dua të jetoj.
Ajo, gjithashtu. Dhe iku.
Trishtimi vetëm mua më përket!
Për inat të tij bëhem më i bukur!
KU VALLË JE SOT?
Kur dikush thote bri meje “Irenë”
unë të kujtoj ty qetësisht.
Bie një muzg e zverdh një vjeshtë,
ca gjethe bien dhe shfaqesh ti.
Nuk të harrova, megjithëse kurrë
s’të thashë: “Irenë, unë të dua!”
Atëherë në zemer dyzimi – luftë
përfundimisht më mundi mua.
Syri yt priste ta thyeja drojtjen
plot ankth si fundin e nje gare.
Po unë heshta. Prania jote
ma mjegullonte rrugën drejt fjalëve.
Një ditë ti shkove. Veç në mesnatë
shumë kohë në ëndërr më mbete.
Kur gjumi varej mbi qepallë,
magjepsëse uleshe pranë meje.
Ku je vallë sot? Në ç’muzg e vjeshtë?
Pa ty janë ëndrrat si shkretëtirë.
Po ti qofsh e lumtur, Irenë, Irenë!
Unë të kam dashur. Natën e mirë!
KËNGA E NAIVIT
Mjerisht e varfër kjo njohja ime,
Fare pak gjëra paskam ditur,
Nëpër dekada, në kodra librash,
Ka mbetur prapë djali i mitur.
Shikoj tradhtinë dhe e kuptoj
Kam mbetur në kokëtrashë i ngratë!
Gjithmonë më shfaqet me një fytyrë
Gjithmonë them “e hëngra prapë!”
Dhe bash atëherë më vjen ninulla
E nënës time mbi kokë:
Mbyll sytë o shpirt, mos u mendo,
Se je i pastër, s’je për këtë kohë…
KUR E DI SE DO TË VDESËSH
Kur e di se do të vdesësh,
pemët kanë më shumë lule dhe më
shumë yje qielli ka.
Më të mirë dhe më të çuditshëm
janë njerëzit,
që nuk e kuptojnë se hija e trupit
të tyre është vetë vdekja.
Kur e di se do të vdesësh,
toka është pjellore si grua
dhe qielli ta shuan përjetësisht
etjen me shirat e tij
dhe avionët nuk fluturojnë për t’u
rrëzuar
dhe njerëzit nuk lindin për t’u bërë
nesër të ligj.
Më mirë ta dish se do të vdesësh!
Lulet lule do të jenë dhe nuk do të
kundërmojnë më trishtim
dhe njerëzit do kthehen më shpesh
te distributori i harruar
të furnizohen falas me besim…
ObserverKult
———————–
Lexo edhe:
S’KA ME T’DASHTË KUSH, KURRË MA SHUMË SE UNË, POR KËTU U KRY. MBAROI!