Poezi nga Teodor Keko
Na ish një nënë dhe kish një djalë,
Një djalë të lig, veç për të këqija.
Të gjithë uronin të vdiste sa më parë,
Dhe nëna e tij, mbushej me thinja.
E luste të birin të kthente udhë,
Se dita ikën o bir, e s’të fal, kurrë.
Se nuk është nënë aq e urtë, o shpirt,
Dhe nuk është nënë, o zemër që të fal.
E fliste, i fliste, por ishte e kotë,
I biri e tallte, e lante me turp.
Dhe nëna vendosi të ngulte një gozhdë,
Për çdo prapësi të djalit, në mur.
Dhe nëna thinjej dhe muri mbushej,
Dhe ajo kërrusej me ditë e orë.
Një ditë i harroi i biri huqet,
Tek pa me tmerr murin me gozhdë.
I ra në gjunjë nënës e qau,
Kam qenë i marrë, o nënë më fal.
Të gjitha thinjat me lotë ia lau,
Dhe i rëndonte çdo thinjë sa një mal.
E mira nënë kokën i puthi.
Mjaft qave bir, tani u rrite.
T’i duash ti njerëzit dhe unë gozhdët,
Do t’i shkul pas çdo të mire.
Të mirat djalin zemrën ia mbushnin,
Askush s’e njihte më atë.
Çdo mbrëmje shihte murin,
Dhe numëronte gozhdët në të.
Vjen një ditë, kur nëna e mplakur,
Nga muri shkuli gozhdën e fundit.
Por djali s’ndihej ende i kënaqur,
Në mur qenë vrimat, si vrima plumbi.
O nënë tha djali, s’do jem i qetë,
Pa zhdukur murit vrimat e zeza.
O bir tha nëna, kjo s’ndodh në jetë,
Çdo vrimë të murit ma ka dhënë zemra.
Ti qofsh i mirë dhe qofsh me nder,
Dhe lehtë në balle djalin e puthi.
Por plaga s’ikën kurrë nga trupi,
Dhe s’bëhet kurrë i bukur turpi.
*Titulli i origjinalit: “Nëna dhe djali”
ObserverKult
Lexo edhe: