Teodor Keko: Mos u trishto, e shtrenjta ime!

Teodor Keko: Dashuria ime shkurtim i jetës sime...

Atëherë ditët qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Në muzg t’i shfaqeshe e brishtë
me hënën flokëve – karficë e bardhë.

Dhe parqeve të qetë gjer vonë
ne putheshim. Dhe prapë.
Në gjoksin tim kokë e verdhë
në rrugë ëndrrash galop kish marrë.

Tani janë larg parqet e blertë,
të heshtur pimë kafe në klub.
Po mbrëmjet prapë jargavan janë
dhe kokën tënde e ndjej në sup.

Mos u trishto, e shtrenjta ime!
Ne prapë duhemi dhe heshtja sot
që ne jemi të pavdekshëm
dhe përjetsisht të bukur – thotë.

Atëherë mbrëmjet qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Po shih! Përmbi tryezë t’u ul
në flokë hëna – karficë e bardhë.

————————————–

LEXO EDHE: TEODOR KEKO: TI, MUND TË MË DUASH- POR NGA UNË MOS PRIT ASGJË…

Ti, mund të më duash sa të duash, por nga unë mos prit asgjë!…
Kështu m’u përgjigj ajo femër e bukur dhjetë vjet parë, ajo femër me kaçurrela të zeza e sy jeshilë të thellë. E ndërkallur në një xhup të madh atë acar janari, teksa prisnim në radhën e gjatë, si zakonisht, të blinim dy shishe me qumësht për fëmijët tanë të vegjël.

Pata bërë çmos t’ia fitoja zemrën dhe kohën e kisha pasur me bollëk, sepse çdo dy ditë, nga ora tre e mëngjesit deri në orën shtatë ne këtë punë kishim: hy në radhë e prit me shpresë të marrësh ndonjë shishe qumësht, mirëpo Xhina nuk ishte tunduar. Unë sillesha mirë me të.

Sa herë nuk arrinte të blinte qumësht, vezë, apo gjalpë dhe mbulohej nga trishtimi e zhgënjimi bashkë. Unë do t’i jepja diçka nga racioni i vajzës sime dhe ajo gjithmonë do të më falënderonte butësisht.

Por vetëm kaq! Me të zgjatur unë kthetrat e fjalëve propozuese për t’u takuar qoftë edhe një herë të vetme, ajo mblidhej si iriqi, duke më kujtuar atë frazën, se, kur flet, shumë-shumë, shtrembërohet buza, kurse kur e jep shtrembërohet bytha!…

TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU