
Nga Sadedin Mezuraj
Kënga polifonike labe, e ardhur nga rrjedha e gjatë e shekujve, i ngjan një deti të pafundëm të mbushur me margaritarë të bukurisë. Në këtë hapësirë të gjerë shpirtërore, mes mijëra krijimesh anonime të poetit popullor, disa këngë shkëlqejnë si perla të rralla që do t’ua kishin zili edhe mbretërit që zbukuruan kokën e tyre mediokre me kurora të ngarkuara me safirë, smeralde, flori e diamante.
Ndër xhevahirët më vezullues të kësaj kurore metaforike që krijoi tradita labe, mbetet padyshim kënga “Thëllëza që shkel mbi vesë”- një nga krijimet më të ndritura të lirizmit popullor shqiptar.
1. Dashuri dhe pengesa
Këngët lirike labe të dashurise mbartin shpesh një hije dhimbjeje e pengimi, jo për shkak të ndonjë sentimentalizmi ontologjik të shpirtit lab, por sepse realiteti etik, kulturor dhe shoqëror tradicional e bënte dashurinë të vështirë, të pamundur, të përjetuar me ankth dhe të mbushur me sakrifica.
Ndjenja nuk ishte e lirë: ishte e rrethuar nga kufizime, nga norma sociale, nga sy të tjerë që vëzhgonin dhe bënin hatanë, në kushtet e një morali të rreptë patriarkal që prevalonte mbi “gjuhën” e zemrave.
Në këtë mozaik të tensionuar emocional, “Thëllëza që shkel mbi vesë” bën përjashtim.
Ajo i përket atyre pak këngëve ku dashuria jo vetëm ndodh, por kremtohet – me gëzim të përmbajtur, me solemnitet shpirtëror, me një çlirim të brendshëm që ndjehet në çdo varg.
2. Thëllëza – metafora e vajzës së bukur labe
Në traditën e Labërisë (dhe jo vetëm), vasha krahasohet shpesh me thëllëzën: shpendin e egër te viseve malore të Labërisë, i bukur, i shpejtë, me këngën karakteristike dhe me pendët shumëngjyrëshe.
“Të shkelësh mbi vese” nuk është thjesht të ecësh lehtë; është të fluturosh mbi çastet e agimit, mbi njomësinë e mëngjesit, mbi lotët argjenduar të barit që sapo ka çelur.
Vesa përçon brishtësinë, pastërtinë, dëlirësinë e ndjenjës. Djersa, nga ana tjetër, është shenjë simbolike e nxitimit, e zjarrit të brendshëm, e ankthit të ëmbël të takimit.
Vesa + Djersa = metafora e dy ekstremeve të dashurisë: brishtësia dhe vlimi, dëlirësia dhe zjarrmia.
Kjo është një nga magjitë më të bukura të kësaj kënge.
Vargu “Lere, lere aman aman” –përcjell tensionin e brendshëm të pritjes dhe pengesat e hasura në udhën e dashurisë.
Refreni i përsëritur – “Lere, lere aman aman” – ka funksion performativ.
Nuk është thjesht një mbushës muzikor, por bart një kod të tërë emocional të traditës labe.
Kjo thirrje, në vetvete, përmbledh lodhjen, pritjen, emocionin, ankthin dhe shpërthimin e gëzimit që mezi përmbahet.
Në Labëri, “Lere, lere aman se ç’ kemi hequr!” përdoret kur përshkruhet diçka e pazakontë, e fortë, e veçantë. Këtu funksionon si pikë kulmore e tensionit të brendshëm të dy të dashuruarve që më në fund po bashkohen.
“Me buzën lule behari”
Duhet të ketë qënë një mëngjes prilli, kur lulet kanë çelur mbi faqen e dheut e kur ” Lis jeta ka ndërruar/ edhe deti uj të ri”- sikurse këndoi në një nga kangjelat e tij melankolike De Rada- romantiku i madh i Arbëreshëve të Italisë.
Dhe në atë lulëri plot ngjyra , dy buzët e vashës feksin si lule behari- plot njomështi dhe zjarre shpirti.
3.Dhe deti që mahnitet nga bukuria!
Vargu “Kur të pa deti me valë / tha sikur të isha djale” është një nga figurat më homerike të folklorit shqiptar. Poeti popullor nuk na jep asnjë detaj të drejtpërdrejtë të bukurisë së vajzës; ai e tregon përmes mahnitjes së natyrës.
Vetë deti – simbol i fuqisë, i madhështisë, i pafundësisë – ngelet pa fjalë, i tronditur, i dëshiruar.
Natyra sillen rreth vajzës, sikur ajo të ishte qendra e universit.
Kjo mënyrë përshkrimi të kujton Homerin, i cili bukuritë më të mëdha nuk i jep kurrë drejtpërdrejt, por përmes efekteve që ato shkaktojnë te të tjerët.
Dhe deti psherëtin:
“Ah, sikur të isha djalë, nuk të lija pa të marrë…”
Ky është kulmi i hiperbolës, por edhe i adhurimit të pastër estetik.
Tradita labe e sheh shpesh bukurinë femërore si një dhuratë hyjnore. Në një këngë tjetër thuhet:
“Thëllëz’ e malit të sertë / Të stolisi Zoti vetë.”
Ky varg i jep vajzës një dimension pothuaj sakral. Po i njëjti dimension shfaqet edhe në këngën “Thëllëza që shkel mbi vese”, por këtu është i brendësuar, i nënkuptuar, i përshkruar përmes reagimit të natyrës që e adhuron.
“U bëra sa shtatë dete” –është kulmi i poetikës brilantr në këtë këngë labe- hymn për dashurinë
Fundi i këngës ngre një figurë që e tejkalon të gjithë tekstin:
“Tani që të kam me vete
U bëra sa shtatë dete.”
Numri shtatë është arketip në folklorin shqiptar: shtatë pashallarë, shtatë tuje, shtatë drita. Është numri i shënjtë i botës tradicionale, i plotësisë dhe i hiperbolës. Por “shtatë detet” është një metaforë unike, një gjetje autentike e poetit popullor labe. Tek një krahinë që jeton me detin, me horizontin e pafundëm jonian, deti nuk është vetëm element natyror: është metaforë e bukurisë, e jetës, e fuqisë shpirtërore, e misterit.
Të bëhesh “sa shtatë dete” do të thotë të zmadhohesh shpirtërisht, të transformohesh, të rritesh tej mase, të shpërthesh në gëzim. Dashuria sjell pikërisht këtë metamorfozë.
4.Interpretimi – aty ku kënga merr shpirt e krahë dhe ngjitet në qiejt eternalë
Askush nuk e ka kënduar këtë këngë me solemnitet më të pastër dhe me dridhje shpirtërore më të thellë sesa Katina Bejleri me grupin e Bregut.
Aty ku mali i sertë përqafohet me detin e thellë, aty ku ashpersia takon dëlirësinë, aty edhe vibracioni i polifonisë merr dimension pothuaj ritual. Zëri i Katinës e kthen këngën në një himn dashurie, në një lutje, në një përjetim estetik që tejkalon të zakonshmen.
Thamë se kjo këngë kremton triumfin e dashurisë dhe takimin e lumtur mes vashës dhe trimit. Por kujtesa e këngës nuk mund të harrojë rrugën plot pengesa të dashurisë.
Prandaj isua dridhet nga jehonat e dhimbjes së bukur dhe piskama e hedhësit çan mbi dete e ngjitet qiellit ” si e zezë vetëtimë”
* * *
“Thëllëza që shkel mbi vesë” është më shumë se një këngë.
Është një ikonë e bukurisë në visaret e këngës labe.
Një arkeologji e ndjenjës.
Një margaritar i rrallë në kurorën prej xhevahirësh të polifonisë labe.
—-
Më merr o këngë mbi krahët e tua e më gjezdis në ato vise labërie, ku shpirti i njerzve të ngritur si perëndi pagane mbi ato male, krijoi këto visare me bukuri mahnitëse.
ObserverKult
Lexo edhe:






