Valdeta Dulahu
Ti dëshiron të kthehesh!
Por, unë s’kam ndryshuar.
Jam po ajo,
kokë mushke,
me nerva t’çingelta,
me sinqeritet naiv,
feministe deri te gishtat e kembës.
Urrej ende erën e cigares,
poezitë me petale trëndafili,
me fërshellimën e gjetheve të vjeshtës,
gjoja romantike,
përralla t’thinjura.
Më pëlqen ende parfumi Chanel,
kafeja e idhët,
tingulli i violinës,
Paganini që ty t’i shponte veshët.
E ti, si do te kthehesh?!
Unë s’i ndryshoj dot poezitë.
As kafen.
Kafeja me sheqer
nuk është më kafe, atëherë.
As Chanel-in, se më frymëzon .
Paganinin, pothuaj e kam mësuar përmendësh.
E ti, si do të kthehesh?!
Unë s’kam ndryshuar, por
as të ndryshuarit si pranoj dot.