Timo Flloko: Sa papritur erdh’ kjo ndarje…

timo flloko
Timo Flloko

Poezi nga Timo Flloko

Dimër ish kur ti më ike,
fjalët heshtja i mbuloi.
Hijen time në valixhe,
more larg.
Puthja jote si relike,
në qenien time mbeti gjatë,
por, do të ftohej… do të ngrinte,
pak nga pak.

Sa papritur erdh’ kjo ndarje,
ritual që ndodh ngaherë…
Heshtj’ e gjatë dhe…
“S’të harroj asnjëherë!”
Shpend i hekurt që të mori,
një bosh të madh më la në vete.
Unë në tokë e ti në qiell,
mbeta vetëm…!

Kur ti fluturove lart,
sa do të desha unë të kisha krahë.
Në shkretëtirë të universit,
mos t’i humbja sytë e tu.
Ti më the: Unë jam e jotja,
dhe as vdekja s’do të na ndajë.
S’je e para, as e fundit…

“Larg nga sytë… prej zemrës larg…!”
Ti më the: Jo, s’të harroj,
të kam shpirt, veç ty të kam.
Unë e di, më ke harruar,
Larg nga sytë, prej zemrës larg.

Dhe ne humbim nëpër vite,
Pa ngrohtësi, larg njëri-tjetrit.
Dhe fytyrat u harruan,
përgjithmonë…
Në marrëzinë e këtij planeti,
sa të pafaj ne te dy mbetëm.
Erë u bë, nga duart iku,
dashuria…!

*Titulli i origjinalit: “Larg nga sytë, prej zemrës larg…”
————————

Lexo edhe:

TIMO FLLOKO: I GJALLË APO I VDEKUR, LUS ZOTIN, TË KTHEHEM…

TIMO FLLOKO: POR S’E HUMB SHPRESËN, PRES…