Tmerret në Spaç, Qafën e Barit dhe Burrel, kush ishte Sherif Merdani, i përndjekuri që ndërroi jetë- Ky ishte rrëfimi i tij pas 16 viteve burg

Këngëtari Sherf Merdani, i cili mbylli sytë dje ishte një nga njerëzit që ka vuajtur më shumë pasojat e diktaturës. Merdani, një artist këngëtar i madh shqiptar i muzikës së lehtë shqipe u largua dje, pas 16 vitesh jetë që kaloi pas hekurave dhe dhjetëra të tjerave që shijoi në liri me bashkëshorten, Rozalba dhe të birin, Gerard.

Vetë Merdani ka rrëfyer më herët se si pas Festivalit të 11-të (një festival i anatemuar nga Enver Hoxha), ai edhe disa kolegë të tij, u përndoqën nga ish-diktatori. I ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, Merdani tregonte se viti 1973 do të mbahet mend si viti i goditjes në fushën e artit dhe kulturës nga ana e diktaturës. Në atë kohë u propagandua si luftë kundër shfaqjeve të huaja dhe liberalizmit, si luftë kundër të ashtuquajturit grup i Fadil Paçramës dhe Todi Lubonjës dhe u përdor si pretekst festivali i 11-të në Dhjetor të vitit 1972.

Enver Hoxha do të fillonte sulmin ndaj të ashtuquajturit grup armiqësor në letërsi dhe art. Vetë Merdani tregonte se Enver Hoxha u vrenjt sepse në Festivalin e 11-të ishtë e harruar partia, nuk kishte asnjë këngë për të dhe as për partinë dhe se pikërisht kjo gjë kishte bërë që ish-diktatori të sulmonte artistët, jehona e të cilëve ishte dëgjuar për tri netë rresht në vend.

Pjesë nga rrëfimi:

Janë 37 vjet që shtypi, media, analistët kanë trajtuar anën tjetër të medaljes që unë nuk dua, ose nuk marr përsipër ta trajtoj. Ata e kanë quajtur festivalin ndonjë kurth të diktaturës për të thithur sa më shumë viktima dhe për t’i dënuar ashtu siç i dënoi. Unë do të tregoj se çfarë ndodhi në të vërtetë. Festivali i 11-të është një nga arritjet më të madha të muzikës së lehtë shqiptare dhe ky është produkti i kompozitorëve më të mirë që ka nxjerrë rraca jonë duke përmendur këtu pionierin Agim Prodani, Agim Krajkën, Ferdinant Dedën etj, etj. Ai ishte një vazhdim i festivalit të 10-të. Si çdo festival, edhe festivali i 11-të kishte një provë të ashtuquajtur gjenerale, por me një ndryshim që atëherë duhej të vinte një njeri i partisë që të jepte lejen që festivali do të shfaqej. Ne patëm fatin e keq që në prova erdhi udhëheqësi Ramiz Alia, e kam parë me sytë e mi në tribunë bashkë me drejtorin e festivalit Nikolla Zoraqi. U bënë provat dhe pritej me ankth ç’do të thoshte përfaqësuesi i partisë. Erdhi drejtori i festivalit Zoraqi dhe fjala e parë që tha ishte: “Ju lumtë. Udhëheqësi i partisë është jashtëzakonisht i kënaqur nga paraqitja juaj. Me këtë festival ju i keni treguar Europës se ç’nivel ka arritur partia jonë”.

Ne u mrekulluam me njëri-tjetrin dhe atë natë zgjodhëm veshjet më të bukura. Dhe të nesërmen të gjithë ishin veshur si kurrë më parë dhe për tre netë rresht u duartrokitëm dhe një popull i tërë u mrekullua. Jehona e festivalit vazhdoi një javë, nëpër rrugët e qyteteve na përgëzonin për një festival të mrekullueshëm. Ai festival atë vit ka qenë edhe më i bukur se festivali i Sanremos. Pas gjithë këtyre udhëheqësi i madh i kërkoi që të shohë festivalin sepse e bija vajti me vrap nga festivali tek zyra e babait dhe i tha: “Babi, tradhti. Gjithë festivali nuk ka asnjë këngë për partinë. E kanë harruar partinë”. Dhe ai u vrenjt. Pas një ore shkon i biri dhe i thotë: “Babi, tradhti. Ju kanë harruar, asnjë këngë për ty”.

Kjo ishte e vërteta absolute, në festivalin e 11-të nuk kishte asnjë këngë për partinë dhe as për Enver Hoxhën. Pasi pa festivalin “Zeusi” i madh lëshoi rrufetë dhe një nga ato rrufe më kapi mua dhe më çoi 16 vjet në burg. Do thoni pse mua? Unë vija nga një familje tregtari në Korçë, një familje e pasur dhe peripecitë tona ishin nga më të ndryshmet. Unë vija nga një familje që babain e kisha patur në burg, nënën e kisha patur në burg, vëllanë në burg dhe patjetër ishte hallka e zinxhirit më e dobët dhe kjo rrufe më kapi mua. Atë festival unë e përjetova me 16 vjet burg, por këtu nuk është rasti të tregoj se çfarë drame kam përjetuar unë dhe miqtë e mi dhe çfarë tmerri kemi hequr nëpër kampet e Spaçit, të Qafës së Barit apo burgjet e Burrelit. Mua më arrestuan në Librazhd, atje punoja si mësues në gjimnaz. Miqtë e mi thonin se në Bllok, aty ku shëtit rinia sot ishte një kinema që vetëm byroja politike dhe fëmijët e tyre kishin të drejtë të shikonin filma të cilët nuk shfaqeshin për popullin. Miku im më tregoi se një natë ai kishte qenë pranë Rita Markut dhe Enver Hoxhës dhe para se të fillonte filmi ishte shfaqur një dokumentar i festivalit të 10-të ku unë këndoja këngën e nënës. Ai kishte dëgjuar Enver Hoxhën që pyeste Rita Markun: Nga është ky nga Merdanët? Rita Marku e cila na njeh shumë mirë i tregon se isha i Qemalit dhe se isha këngëtar i mirë. Ai me ironinë e tij i thotë: Është i mirë, më pëlqen. Por si ka mundësi që atij i del emri 7 herë në ditë në radio dhe mua një herë? Këtë mua ma ka treguar Spartak Ngjela dhe është e vërtetë./dosja.al

LEXO EDHE: Arti në zi, shuhet Sherif Merdani