Tregim prekës nga Çun Lajçi: Gruaja që kreu hakmarrjen për burrin…

Çun Lajçi bubulina

Mrika që ia muer gjakun burrit
(Tregim i lirë mbi nji t’vërtetë)


U martua Mrika. Mrrolajka, fjalë pakta e kallushajka e Kolë Marashit!
I ati ia bani kanagjeqin si asht ma s’miri. I preu dy cjepë që i kishte ndër njiqind dhi e fyshekët si kurseu kur erdhën krushqit me marrë Mrikën, mirashën, mirakën e bacës Kolë!

Hej, s’ishte punë e vogël!? Kallushajka e tij po martohej për Lecin, rojën e Bajraktarit t’Pulatit, e roje s’bahej gjithkush as gjithkush s’e ruente Bajraktarin ore! Duhej me qenë dy metra burrë, sy skyfter e shpatull gjanë për me ia ruejtë shpinën Bajrakut t’fisit!
Ndaj plot teneqe u mbush oborri kur Mrika hipi n’kalin e nusës, n’pullalinë me lulën e zezë n’ballë!

Edhe pajë kishte ba boll. Dy arka druni mënzi ia çoi kali të shtëpia, atij rojës me kobure sërmi n’brez!
Tri herë ma shumë teneqe u mbush oborri i dhandrrit kur zbriti Mrika e mira e Kolë Marashit me xhubletën e randë, tetë okësh!

E cingëlueme ishte viranja me zinxhirë e pare n’kollanin e përmjetit, e me rrueza e mija fije pejsh!
Por … e errëta kishte nxanë vend n’xhubletën e n’xhamedanin me sumulla t’mirashës Mrikë, se errët do t’i shkonte jeta e do t’thermohej gurëve tue lypë gjaksorin, që ia vrau burrin, pa i ba dy javë n’qilerin e tij!

Përfundi Drinit t’Bardhë kishte ba konak kunati, vllau i Lecit, ai që shkrepi plumba n’vllaun e vet. E kishte mahnitë bukuria e kunatës, e dreqi ia kishte vërbua sytë e katran ia kishte ba zemrën, sa s’e duroi ma n’shtratin e t’vllaut. Ia zuni pritën e dekun e la Lecin, gjakun e vet!

Mrika u lemërua, sa shumëkush mendoi se u çmend! Shumë kush kujtoi se dreqnit e morën përpara e mbeti rrugëve tue lypë!
Jo! Ajo s’luejti mendësh, por u dalldis kur mori vesh se vllau e vrau vllanë për nji grua që ia kishte marrë mendët bukuria e saj!

E kërkoi n’fushë e n’kodër me koburën e burrit n’brez. Poshtë Drinit e përmbi Dri e lypi gjaksorin. Dikush i tha se e kishin pa n’Shkodër. E gjet n’qytet tue ba sefa! I duel para e veç dy fjalë i foli!

Jam Mrika e Kolës, grueja e vllaut tand. Gjakut që s’falet! Dhe e vrau me koburën e Lecit! Mandej u drodh e shkoi n’shtëpi. Ia vrau nanë e babë pa iu rrudhë syni!
Gjaku i keq s’duhet me jetua tha e shkoi të baba Kolë!

LEXO EDHE: ÇUN LAJÇI: U KTHYEN… POR ATA KAHERË KISHIN PASË VDEKË