Në vazhdim mund t’i lexoni tri poezi të Afrim Demirit
Vjet përvjet
Vjet përvjet
lëkurën e ndërroj
Si gjarpni i shpisë
luspë pas luspe
mimikrinë ndaj kohës
ushtroj
Pshtjellëm brenda saj
fshihen nga rrufetë e fatit
pa hetue se hetohem
nga syni i keq
Si gëzhojë e voes së zime
lëkura më plasaritet
motet tuj i rrokullisun
në honet e kohës
Vjet përvjet nga një portret
si fletë e kalendarit
shkoqet nga faqet e mia.
Syni i mjegullës
Në synin e mjegullës
si në synin e dhisë së preme
perëndon horizonti
E padukshmja shtrihet
paskaj
Zogjtë nuk vijnë as nuk shkojnë
Koha e dehun shtrihet përtej
meje
Prekem nga e paprekshmja
edhe mendimi më mjegullohet
Thërras emnin tem
dhe nuk dëgjoj za
Bindem se jam i humbun
I tretun në këtë planet
të mjegullt
Pa gravitet
Pa udhë
Pa shenja.
Sot dhe sonte
Nata mbyllë buzëqeshjet e ditës
në arkën e andrrave deri në agim
Ato si flutura të përflakuna derdhen
zemrave të përvlueme n’ dashni
Në cepe buzësh çelë dita sërish
pas një shiu me shije puthjesh
Në petale lulesh si pikat e vesës
bien lotët e zhgandrrave
zhgënjyese
Në mes një sot dhe një sonte
lindin dhe perëndojnë shpresat
Të zana ngusht në zgripcin
e ndjenjave.
ObserverKult
Lexo edhe:
AFRIM DEMIRI: NUK E PASKAM DITË… DIKUSH MË PASKA MALLKUE
Triptik mbi retë
Nga Afrim Demiri
Sa lehtë çmendet një ditë
Sa lehtë çmendet një ditë
Edhe më lehtë si përhapet
çmendia e saj si një erë
e marrë…
Poezitë tjera mund t’i lexoni duke klikuar KËTU