Tri rekomandime leximi nga Manjola Brahaj

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafire poeten Manjola Brahaj .
Ja cilat janë tri librat që Brahaj u sugjeron të pasionuarve pas leximit

Të them të drejtën sa herë që më kërkohet të jap sugjerime leximi për të tjerët, më kap një ndjenjë sikleti dhe një lloj ngushtimi i brendshëm, në pamje të parë i pakuptueshëm, por në fakt kjo gjendje është më se e arsyeshme. Kjo sepse, siç i thashë edhe një mikeshës sime, sapo dëgjoj togëfjalëshin “sugjerime leximi më enden për rreth kreje tituj e autorë nga më të ndryshmit”, më duket sikur koka ime është epiqendra e valles së çuditshme që hedhin autorë si; Sofokliu, Dante, Eliot, Borges, Eko, Sabato, Bodler, Rilke, Pavese, Paz, Lorka, Pizarnik, Gëte, Hesse, Man, Dostojevski, Brodskij, Sedakova, Bullgakov, Mandelshtam, Roth, Migjeni, Kuteli, Camaj, Qosja, Tufa e plot të tjerë.

Nga Manjola Brahaj

Vallja është e gjatë, e stërgjatë, ata duket sikur janë kapur dorë për dore, duket sikur kanë lidhur kështu kohët e tyre me njëra – tjetrën, hapësirat dhe gjuhët, kulturat dhe mendësitë, dhe kjo lidhje, ky pikëtakim jam unë, shpirti im, koka ime, formimi im intelektual që është krijuar falë tyre. Dhe unë nuk di kë të zgjedh, kujt t`i kap dorën për ta veçuar prej kësaj valljeje surreale, cilin ta kap dhe ta nxjerr në sheh dhe t`ua tregoj të gjithëve, ta bëj me shenjë që të tjerë pas meje ta mësyjnë e ta përpijnë. Si fillim i thashë vetes nuk e di, nuk zgjedh dot, tre janë pak thashë me vete sepse tek secili pëlqej diçka, secili më ka tronditur me diçka, më ka ndryshuar mua në një mënyrë apo në një tjetër. Të thuash vetëm tre vepra, është si të thuash vetëm tre fjalë me lakun në fyt ndërkohë që ti ke shpirtin plot. E them këtë, jo për të treguar se kam lexuar shumë, apo njoh shumë, por për të thënë se me të vërtetë janë shumë shkrimtarët dhe vepra që do ua kisha sugjeruar, lexuesve në përgjithësi dhe atyre që janë të apasioniuar pas letërsisë në veçanti. E ndodhur në këtë lloj situate dhe përpara një valljeje që nuk po din që të ndalet tek asnjë autor konkretisht, vendosa të marr një kriter për të realizuar përzgjedhjen që do bëj, kriteri është “cilat vepra më kanë tronditur dhe ndryshuar më shumë” sepse për mua në letërsi vetëm ajo që trondit, befason dhe ndryshon lexuesin ka vlerë.

1.“E madhe është gjëma e mëkatit – Tat Tanushi i Bubutimës” – MITRUSH KUTELI.

E fillova me letërsinë shqipe, sepse mendoj se duhen sugjeruar më shumë ato pak kryevepra që ka letërsia jonë dhe për mendimin tim një ndër më të rëndësishmet dhe më të bukurat është pikërisht kjo novelë e Mitrush Kutelit. Një vepër që botohet me vonesë, vetëm në 1993, dhe që ia del mbanë të shpëtojë edhe pas humbjes, për mendimin tim një mrekulli kjo. Një vepër që me bindje mund të them që e pasuron dhe e bën letërsinë shqipe në tërësi më të mirë nga aspekti cilësor i saj. Tek kjo novelë mund të gjejnë veten persona që janë të dhënë pas legjendave, sepse ngjarjet dhe rrëfimi në këtë vepër ndërtohet  nën endjen e legjendës. Po gjithashtu do të tronditen dhe do të jetojnë emocionalisht bashkë me Tat Tanushin të gjithë ata që duan, që kanë dashuruar me qenësinë e tyre, por  edhe ata që shpirtin e tyre ia kanë kushtuar besimit, shkrimeve të shenjta. Është një vepër që nuk kuptohet prej atyre që janë naiv dhe të pakultivuar kulturalisht dhe në mënyrë të veçantë me letërsi të tillë. Kërkon impenjim intelektual dhe forcë shpirtërore, por edhe ndryshon lexuesin si nga ana intelektuale ashtu edhe ajo shpirtërore. Në të ndihet ndjeshmëria dhe mrekullia e “Këngës së Këngëve” dhe “Ekleziastit”, prani dhe shtresëzime të cilat e thellojnë dhe theksojnë komunikimin shumëkohor dhe dimensional të kësaj vepre. Në të përhumbesh dhe e rigjen veten në ndjenjën e fortë të dashurisë, por edhe në atë të fajit e pendimit. Ndikimi prej mitologjisë dhe legjendës ka bërë që kjo vepër të vijë tek ne si një “gosti” e mrekullueshme estetike. Koha dhe procedimet me të janë një ndër relizimet më të arritura të shkrimtarit, ndaj ju sugjeroj që kohën tuaj ta pleksni më të tijën dhe kështu do humbisni ndjenjën e saj.

2. “Vëllezërit Karamazov” – FJODOR DOSTOJEVSKI 

Kur është fjala për letërsinë e huaj, së pari zgjedh të ndalem tek Dostojevski dhe “Vëllezërit Karamazov” sepse e mendoj si një kryevepër jo vetëm të tij, por të letërsisë në tërësi. Por edhe sepse kjo vepër është e para që më ka zgjuar nga gjumi monoton i letërsisë realiste në periudhën e studimeve të mia, ndaj ka lënë gjurmë në shijet e mia. Një realizim artistik origjinal dhe i veçantë, siç është në totalitet letërsia e Dostojevskit, prej të cilës u ndikuan edhe shkrimtarë të tjerë më vonë. Ky roman është thellësisht pasionant që të bën të jetosh së bashku me personazhet dridhjet dhe dyshimet e tyre shpirtërore, frikërat dhe çmenduritë pasionante, ankthet dhe dëshirat e fshehta, xhelozitë dhe pasiguritë personale, kurthet dhe pafajsinë, guximin dhe sakrilegjet. Një roman i cili mund të quhet filozofik, për shkak të pranisë dhe debateve që zhvillohen në të, për Zotin, vulnetin e lirë, të drejtën, moralin dhe besimin. Është një fushëpamje në të cilën na shfaqen, përplasen dhe zhvillohen tre botë: Aliosha, Dhimitri dhe Ivani dhe shpirti ynë e vendos se kë zgjedh; besimin dhe pafajsinë, pasionin dhe çmendurinë apo guximin dhe dyshimin mbi çdo gjë. Këto dhe shumë arsye të tjera bëjnë që kjo të jetë një ndër veprat më të bukura të letërsisë botërore.

3. “Narcisi dhe Gojarti” – HERMANN HESSE   

Në sugjerimin e fundit e kam lënë një roman i cili mendoj se duhet lexuar sepse të përpin, të bën të mendosh e të dyshosh, të jetosh jo një jetë, por dy paralelisht. Një roman i jashtëzakonshëm, i realizuar me mjeshtri të papërsëritshme nga gjeniu i rrëfimeve të tilla, Hesse. Edhe pse ka kryevepër tejet të njohur “Lojën e rruazave prej qelqi” për mua ky ka qenë më vendimtar dhe më tronditës si roman, ndoshta sepse e kam lexuar para “Lojës..” Ky roman është një botë e magjishme që vë përballë, i ndërlidh dhe i hapërdan dy botëkuptime, dy jetë, dy mënyra të jetuari, dy udhë për t’u ndjekur. Aty gjenden të pleksura dhe të kontrastuara me njëra – tjetrën detyra dhe dashuria, arsyeja dhe erotikja, konformizmi dhe aventura, frika dhe rreziku, e shenjëta dhe mëkati, dashuria dhe seksi, familja dhe vetmia, puna dhe talenti, dija dhe përvoja dhe të gjitha këto të rrethuara nga E PANJOHURA. Personazhet nisen, udhëtojnë, përplasen dhe dështojnë në kërkim të së panjohurës, të asaj që fsheh jeta, që fshihet pas asaj që përjetohet.
Një roman “aventurë” që të kujton veprat të cilat ndërtohen mbi bazën e një sage të udhëtimit dhe që të tërheq me të papriturën dhe të befason me ndërtimin e tij narrativ. Një roman që hap dyer, hap rrugë dhe që të len në mes të rrugës. Je ti si lexues që do zgjedhësh rrugën që do duash; arsyen apo dashurinë, lutjet apo mëkatin e mishit. Prandaj lexues i dashur zgjidh vet dishepull i kujt do jesh në aventurën tënde të leximit, i Narcisit apo i Gojartit?/ ObserverKult