“Trishtimi i gjethes”, poezi nga Ajne Ibërhysaj

Këto ditë vjeshte,
trishtimi bëhet rreze e dëlirë,
ngadhënjen erën, aty-këtu ndonjë gjethe.

Vetëm vjeshta, ndoshta ndien dhimbje.
Kur nga trungu i pemës bien gjethet.

Mbi tavolinë më ra një gjethe,
ndoshta për ta mbrojtur nga stuhia…

Lehtas i largova nga faqet piklat e shiut,
i putha buzët, ballin, trupin e ftohtë,
i dhashë frymë nga mushkëritë e mia,
Ende e ndiej njomështinë e saj.

Trishtimi, si anije që ngre dallgë,
si fëmijë qesh me sy drejt qiellit.
Sa shumë u gëzova që ma ngrohu trishtimin,
kjo gjethe që më ra mbi tavolinë!

Ç’të duhet parajsa, o engjëll?
Në tokë ke qilimin e dashurisë,
qiellin e ke dallgë të syve të mi,
dhe fryma ime do të t’mbajë në ajër.

Vallëzo e duaje një shpirt fluture.
E ndiej ngrohtësinë e krahëve të saj.
“Këtu e ke parajsën e përjetshme,
ashtu si qielli me yje”, – i mërmërita.

Loti i saj puqet me buzët e mia.
Ka gjithnjë një çast vjeshte.

Ndiej një fërgëllimë ere,
trupin ma përshkon një valë e nxehtë vjeshte.
Papritur gjethja iku me erën,
mbledhur vetja si një grusht gjethesh.

Erë vjeshte fryn çdo ditë
dhe ngre velat e mia.
Ndoshta për të mbajtur gjallë
frymën e pranverës.

ObserverKult


Lexo edhe:

AJNE IBËRHYSAJ: VALËT E JETËS