
“Gjurmët e Grafikës” është ekspozita që shpalos veprat e brezit të artë të krijuesve të parë të grafikës bashkëkohore në Kosovë, të cilët me përkushtim të palëkundur ndërtuan themelet e një tradite të re artistike.
I pranishëm në ekspozitë ishte doajeni i grafikës Fatmir Krypa, i cili ndjehej i emocionuar, teksa shihte me nostalgji veprat e tij, bashkë me ato të artistëve që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në artin e grafikës. Ai shprehu një vërejtje për këtë ekspozitë, duke theksuar se “duhet të përfshihet më shumë edhe gjenerata e re dhe kjo ekspozitë të shndërrohet në bienale, në mënyrë që të zhvillohet arti i grafikës edhe më tej”.
Kuratori i ekspozitës Genc Rezniqi ka thënë se “të kurosh një ekspozitë me vepra të artistëve që kanë lënë gjurmë në artin e grafikës, ka qenë sa me përgjegjësi të madhe, po aq edhe sfiduese”.
“Në këtë ekspozitë, rreth 50-60% të veprave, nuk janë ekspozuar asnjëherë deri më sot”, tha ai.
Ekspozita “Gjurmë të grafikës” shpalos një përmbledhje të pasur të veprave artistike që përfshijnë mjeshtëri teknike, simbolikë të thellë dhe ndjeshmëri vizuale, të punuara me mjeshtëri të veçantë nga artistët që kanë lënë gjurmë në artin e grafikës.
“Në këtë ekspozitë artistët vijnë si bartës të këtyre gjurmëve, secili me gjuhën e vet vizuale, me përvojën, kujtesën dhe ndjeshmërinë që e formëson. Ata nuk janë vetëm autor veprash, por edhe ndërmjetës të një tradite që vazhdon të rishkruhet“, tha Sibel Halimi, drejtoreshë për kulturë në Komunën e Prishtinës.
Përderisa, Dardana Goranci Iliyaz, drejtoreshë ekzekutive e Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës u shpreh se “grafika është një prej disiplinave të artit më të vështira për t’u punuar dhe në këtë ekspozitë janë prezantuar 36 vepra, që i takojnë viteve ’50-ta e deri në ditët e sotme”. Ajo shtoi, se veprat për këtë ekspozitë janë përzgjedhur nga koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës, koleksionistët dhe nga familjarët e artistëve.
Ekspozita të tilla janë mision dhe obligim i institucioneve kulturore, që kohë pas kohe, të sjellin para publikut koleksione të tilla të veprave artistike, që prezantojnë artistët që kanë lënë gjurmë në historinë e artit pamor shqiptar.
“Gjurmët e grafikës” është ekspozita e tretë që nga hapja e Galerisë së Arteve në Prishtinë dhe vjen pas ekspozitës “Retrosintezë” dhe edicionit të shtatë të “Ekspozitës Vjetore të Anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës./rtklive
ObserverKult
Lexo edhe:
Ndahet nga jeta në moshën 35-vjeçare aktori i “Game of Thrones”, Michael Patrick






