U ndamë pa i thënë njëri-tjetrit mirupafshim…

artur baku

Nga Artut Baku

Një kat më lart jeton një zonjë e vetmuar. Ndodh ta ndesh në ashensor pasditeve kur del në shëtitje me qenin e saj. Sa herë shihemi, nuk flasim, dëgjohet veç e lehura e ngazëllyese e qenit që i gëzohet orarit të defekimit, dhe fjalët protokollare të “Zonjës me kone”: Ja dolëm… shpirti… prit Anjushka.
Kam dëgjuar se njëfarë Andrej Antonov Ivanoviç Çekov, shkrimtar nga republikat, pati shkruar një novelë “Zonja me kone”. Sa herë shoh zonjën K, më kujtohet novela “Zonja me kone”. Ka një përkim të çuditshëm mes titullit dhe zonjës K. Ky shemërtim mes titullit dhe zonjës K, më shtyu një pasdite të lexoja librin e Andrej Antonov Ivanoviç Çekov.
Spikamën e saj e dallova nga larg. Po shëtiste me qenin buzë lumit “L”, një kone e bardhë “Jackrisell”, me një pllangë të zezë në kokë. Isha ulur në stol rrëzë një bliri, zhurma e trafikut pas shpinës time ndërkallej me zhurmën e paqtë të rrjedhës së lumit që gjarpëron mes qytetit. I zënë në këtë kurth akustik isha përhumbur në leximin e librit “Zonja me kone”, të Andrej Antonov Ivanoviç Çekov”, kur pa pritur Zonja K, erdhi dhe u vendua në stolin tim. U habita, pasi ishte hera e parë që ulej në stol me mua, megjithëse kisha dy vite që bëja të njëjtin ritual pas pune, dilja për shëtitje buzë rrjedhës së lumit “L”, te ura ulesha gjithmonë për një pushim të shkurtër në këtë stol. Ajo përshkohej si zakonisht para meje me konen e saj, shpëfillēse dhe e shpenguar.
– Po lexon Andrej Antonov Ivanoviç Çekov? – qeni lehu lehtë në mënyrë të zgjatur, sa u përmend emri Andrej Antonov Ivanoviç Çekov. Ndërpreva leximin dhe duke e parë në sy, ia ktheva:
– Po, zonja…, – nuk më la të mbaroja fjalën.
– Unë jam Anna Sergejevna, e veja e Dimitri Gurov, – vazhdoi të ledhatonte mbi prehër konen e saj.
– Ju jeni fqinja ime. Banoni një kat më lart. Dimitri Gurov, ka vdekur me 15 Korrik 1904, – qeni lëshoi përsëri një hungërime të mbytur, – kështu thotë libri që po lexoj. Ka vdekur në Shën – Petërsburg me 15 Korrik 1904.
– Ka vdekur me 15 korrik të vitit 1997. Ka punuar bankier në Bankën Qendrore. Gjatë një grabitje në vitin 1997, e kanë vrarë në krye të detyrës. Mos kujtoni se jam e çmendur! Unë jam Anna Sergejevna, e veja e Dimitri Gurov, – tha me ton të prerē Zonja K. Emri Dimitri Gurov, u tret në ajër… Atë çast me dha ndjesinë se rrjedha e lumit e çoi për tutje. U ndamë pa i thënë njëri – tjetrit mirupafshim.
Pas një jave u pamë si zakonisht me Zonjën K. në ashensor. Sapo hyra pashë që ashensorin e kishin thirrur në katin e 9 – të, një kat me lart. U hap dera. Ajo hyri bashkë me konen e saj. Sapo u mbyll dera metalike konia lëshoi një hungërimë të zgjatur, diçka si hungërima vajtojce e qenit Argos, kur njohu Uliksin atëbotë.
– Anjushka pusho shpirti… ja tani po dalim, – i foli zonja K. me zë të ëmbël kones, sikur po i drejtohej një fëmije.
– Jeni banor i ri? – pyeti Znj. K
– Çfarë thoni, Anna Sergejevna?! – Si, nuk po më njihni?!
– Ndjesë, është hera e parë që ju shoh. Jeni nga rrethet?
– Unë jam Dimitri Gurov!
– Haha. Çfarë thoni?! Dimitri Gurov ka vdekur në Shën – Petërsburg me 15 Korrik 1904.
Dera e ashensorit u hap. Kishim mbërritur në katin 0.

*Titulli i origjinalit: “Zonja me kone”

ObserverKult

Lexo edhe:

TË SHPRESOJ SE NUK DO TË HARROJË?