U promovua “Shtëpia pa pasqyrë”, romani i pestë i Majlinda Bregasit

Në një bashkëbisedim të këndshëm mes panelistëve e audiencës, u promovua romani i pestë i autores Majlinda Bregasi, “Shtëpia pa pasqyrë”. Panelistët Albulena Blakaj, Latif Mustafa dhe Blerinda Idrizi, vlerësuan lart librini, përmes një analize shumëdimensionale.

𝑴𝒂𝒋𝒍𝒊𝒏𝒅𝒂 𝑩𝒓𝒆𝒈𝒂𝒔𝒊, 𝒂𝒖𝒕𝒐𝒓𝒆 𝒆 𝒍𝒊𝒃𝒓𝒊𝒕

Majlinda Bregasi është shkrimtare e afirmuar, gjuhëtare dhe profesore e gjuhës italiane dhe latine në “Universitetin e Prishtinës”, ku aktualisht mban pozitën e drejtores së Institutit të Gjuhës dhe Kulturës Italiane. Si romanciere, ajo është nderuar me çmimin prestigjioz për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” dhe është nominuar për Çmimin Evropian për Letërsi. E specializuar në analizën e konversacionit dhe diskursit politik, Dr. Bregasi zotëron ekspertizë të thellë në fushën e gjuhësisë, të letërsisë dhe të didaktikës së gjuhëve klasike dhe moderne, si dhe në përkthim e interpretim. Bregasi është afirmuar edhe si gazetare dhe videogazetare e talentuar, me një numër të konsiderueshëm dokumentarësh.

Për librin:

“Shtëpia pa pasqyrë” sjell histori njerëzish me fëmijëri të grabitur. Përmes tri linjave rrëfimtare, lexuesi udhëton nëpër hendekët e fatit të individëve që janë vetëm pasojë e historisë së popullit të tyre. Një shtëpi ku mungojnë pasqyrat, ku reflektimi bëhet i pamundur, shndërrohet në metaforë universale që ngacmon lexuesin t’i përgjigjet pyetjes thelbësore: A je ky njeriu që doje të ishe?

Ky roman prekës dhe befasues është një eksplorim i thellë i kujtesës kolektive të një populli, të cilit historikisht i është kërcënuar ekzistenca.

Vepra ofron një reflektim mbi mundësinë për ripërtëritje në një shtëpi që, edhe pse e zhveshur nga pasqyrat, mbi kokën e fëmijëve që luajnë pa lodra, ka gjithmonë një dritare.

ObserverKult