Unë aty nuk do të jem, do kem vdekur…

Nga: Meri Elizabeth Frai

Mbi varrin tim kur të qëndrosh, mos qaj me ngashërime,
pse unë askurrë s’do jem atje, atje s’do jem i shtrirë,
do jem në mes rrebeshëve, mes erës me thëllime,
aty ku ndën dëborë rrënkon një hon, a një rrëpirë.

Nën rrëzëllime më kërko, mes fushave gazmore,
aty ku butësisht gëlojnë e shndrijnë pikat e shiut,
dhe kur të zgjohesh në agim, në heshtjen mëngjesore,
do jem në mes bilbilave, nën sharkun e bariut.

Do jem aty ku dielli lind, në t’ ëmblat perëndime,
nën yllësitë e largëta më vezullim të mekur,
pra kur të vish në varrin tim mos qaj me ngashërime.
Pse unë aty nuk do të jem. Pse unë nuk do kem vdekur.


Shqipëroi: Arqile Garo

*Titulli i origjinalit: “Kur ti të vish”