“Urë njerëzore” për të realizuar pelegrinazhin në kishën 900-vjeçare

Rrënojat e kishës së “Shën Gjinit” në kufirin territorial mes Shkodrës dhe Malësisë së Madhe në fshatin Gruemirë, mbledhin çdo të martë me qindra besimtarë katolikë. E ndërtuar në shekullin e XII nga etërit e Bendiktit, fillimisht ka shërbyer si manastir. ”Ky vend i shenjtë është i rëndësishëm sepse besimtarët gjatë komunizmit vinin fshehurazi për t’u lutur. Rëndësia ka të bëjë me rrënojat e abacisë benedektine, që sipas studiuesve është 900-vjeçare”, thotë Dom Nikolin Shëldija, prifti i zonës.

Ardhja deri në këtë vend të shenjtë ka mjaft mundime për besimtarët dhe vizitorët. Ata janë të detyruar të kalojnë një përrua duke mbajtur edhe njerëz në supe për të mundësuar faljen dhe lutjet e tyre pranë rrënojave të kishës së Shën Gjinit. Dom Shëldija dhe besimtarët kërkojnë që pushteti lokal të investojë një urë të vogël që t’u mundësojë kalimin normal drejt këtij vendi të shenjtë, transmeton ‘koha jone’.

”Për vite të tëra jemi munduar që gjithçka të rregullohet, kemi ngritur zërin, por ka ikur në vesh të shurdhër. Ju po shihni vetë sakrificat që bëjnë besimtarët, duke mbajtur njerëzit mbi supe. Njerëzit janë bërë urë kalimi”. Gërmadhat e kësaj kishe dhe çdo gjë që sot ndihet në këtë vend është ruajtur nga familjet myslimane të zonës, që asnjëherë nuk kanë lejuar tjetërsimin e saj në favor të banorëve të ardhur, apo edhe gjatë regjimit komunist.