Urim pa uresa

Nga Rrahman Paçarizi

S’ka ma uresa për Vitin e Ri. Në fëmijninë tem ka pasë uresa. Për ata që s’i kanë mbërri, bahet fjalë për kartolina urimi, që ua çojshim njerëzve që i dojshim a që na thojshin prindërit naj djali të tezes a dajës se mos idhnoheshin. Ka qenë ma shumë se me ia ba like dikujt. Pra, s’ka ma uresa ku shkruheshin formula urimi a naj vjershë e rimueme, fort kot. Por, uresat ishin te bukura dhe krejt me motive dimni, me ndonji babadimër faqekuq dhe me topa vizllues në bredhat e Vitit të Ri që i shihshim veç ne uresa ose në programin e Vitit të Ri të RTP-së, që kqyrej jo, po gllabërohej si gazetat me numra festivë, ma shumë për shkak të kalendarit me ndonje pikturë kiç, si të Rilindjes Kombëtare.
E programi festiv i mbushun me humor plot alegori e figura tjera, që mundohej me thanë diçka, në mënyrën ma të fshehtë të mundshme, me plot ambiguitet, qe të mund të kuptohej në disa mënyra. Që jepnin ndonji mesazh politik që na bante me i pa koxha disidenta humoristat që sot me sy s’mund i sheh, m’sa filmat e Kinostudios ” Shqipëria e re”, personazhet e të cilëve i sheh me bollëk ende, sidomos Colin e “Debatikut”, një hero fëmijënie ma pak trim sesa Boshko Buha, por që të bante me vaj kur e vrisnin në përpjekje me e pshtu msuesin komunist që po binte në kurth. “Zotni msues, jeni në grackë”, ishte thirrja e fundit e fëmijës, që për rrethanat e sotme kish me qenë fëmijë i abuzuem prej të rritunve.
Në vitin që po hyjmë, miq, familjarë, studenta të dashtun, ju dëshroj sa ma pak Cola e Boshko Buha, sa ma shumë dashni, sa ma pak tym, gaz e kumte te PiSA-s, sa ma pak heroj të luftës në paqe, sa ma shumë…, sa ma pak….
Ju deshiroj sa ma shumë uresa. Uresa t’sinqerta e jo me të shtime. Mos ju pëlqeftë programi i Vitit të Ri, thjesht mos e kqyrni-duhuni me njani-tjetrin! S’ju bjen keq…
P.S.
Eh, sa për Babadimrin, gjithë e kemi ditë që nuk ekziston, veç jemi ba sikur po besojmë se na i ka kajtë dhuratat./ObserverKult