Vaçe Zela: Më jep një fjalë, një fjalë me dashuri (teksti dhe kënga)

Vaçe Zela e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Teksi i këngës që mund ta lexoni e dëgjoni në vazhdim është bërë nga Gjokë Beci; muzika, Aleksandër Peçi; u regjistrua në studiot e Radio Tiranës, 1986.

A nuk më thoni emri NËNË
sa zëra zgjon tek biri i saj,
biri i saj,
Kur i diellon në buzë
kur i beson në fjalë
Këtë fëmijë që rend në udhët e jetës
në sup si zog e dua, e dua unë, ta mbaj

Se kur i puth syrin e bukur
më ngjan se puth një qiell në Maj,
një qiell në Maj,
Nisu pra bir nga supi im
Udhën kërkoj në fluturim

Ti thuash diellit mirëmëngjes
dallgës së lumit po të pres
Ti thuash ditëve që do vinë
Zemrën e rrita, e rrita o për Shqipëri…

Më jep një fjalë,
Një fjalë me dashuri
Dhe unë do të të jap
Një diell me ngrohtësi
Se fjala bëhet këngë,
E kënga bëhet mal
Për dashuri

Më jep një fjalë,
Një fjalë me dashuri
Dhe unë do të të jap
Një diell me ngrohtësi
Se fjala bëhet këngë
E kënga bëhet mal
Për dashuri

Ndaj emri nënë dhe emri bir
Për ne të dy,
Të rendim bashkë
Si dy lumenj
Në kaltërsi,
Kaltërsi
Kaltërsi…

ObserverKult

Lexo edhe:

NEXHMIJE PAGARUSHA & LILIANA ÇAVOLLI: PERËNDESHË E BUKURISË MË JE…(TEKSTI DHE KËNGA)