Valbona Sulçe: Dëshiroj që lexuesit të shohin qytetet që po zhduken, fqinjët që po mplaken, të shohin veten…

Intervistë me Valbona Sulçen e cila pas librit “Shqipëria në pallat” vjen me “Shqipëria në avionin e Londrës”.

 “Shqipëria në pallat” dhe “Shqipëria në avionin e Londrës” janë dy kënde vrojtimi të së njëjtës përvojë: Shqipëria që jetojmë brenda dhe Shqipëria që marrim me vete. I pari e sheh vendin në mikrokozmosin e përditshmërisë: në pallate, shkallë, oborre, aty ku karakteret, zakonet dhe ritmet tona më të vërteta dalin në pah. I dyti e ndjek Shqipërinë në lëvizje, në ikje e ardhje, te pasagjerët që mbajnë në zemër një vend edhe kur gjenden mes reve, rrugës për në Londër. Së bashku, këta dy tituj tregojnë se Shqipëria nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por ajo na ndjek, na formëson, na ravijëzon dhe mbi të gjitha është atdheu, vendi që na bashkon, kudo që të jemi. 

Sot, bisedojmë me autoren për mënyrën si këto përvoja u shndërruan në libër, çfarë mbeti, çfarë ndryshoi dhe çfarë ajo shpreson të zgjojë te lexuesi.

Bisedoi: Teuta Dhima

Çfarë ju shtyu që shkrimet e shpërndara në Facebook t’i shndërroni në një libër? Çfarë ju tregoi koha për vlerën e tyre?

-Në fakt, janë dy faktorë që më kanë shtyrë drejt këtij vendimi. I pari, është mendimi që kështu të shpërndara në internet do të humbisnin, pasi Facebook-u është një hapësirë kaq e madhe e mbushur me lloj lloj shkrimesh dhe jo çdo herë njerëzit e kanë vëmendjen tek ajo që ti shkruan. Faktori i dytë janë miqtë e mi, të cilët më kanë ndjekur në hapësirën time të vogël virtuale dhe më kanë nxitur që t’i grumbulloj në një vëllim ato reflektime që u kanë pëlqyer nga postimet e mia, duke vlerësuar stilin e të rrëfyerit. Dhe duke qenë se këto shkrime zënë gati një periudhë 10-vjeçare me shumë ngjarje të rëndësishme midis si: tërmeti, pandemia, shpopullimi i vendit, por edhe shpërthimi i turizmit, mendoj që vlera e tyre dokumentare rritet.

 – Si ndryshoi materiali kur kaloi nga spontaniteti i rrjetit social në disiplinën e librit? A patët tekste që duhej t’i rishikonit thellësisht?

-Jo, nuk bëra rishikime të materialit për të botuar në kuptimin e rishkrimit të tyre. Më shumë u mora më grupimin e tyre në kapituj sipas tematikës dhe renditjes sipas një vijë logjike të rrëfimit. Ia dërgova redaktores sime Anila Bisha për të vendosur cilat duhet të mbaja dhe cilët duhet të hiqja, sepse jo të gjitha shkrimet kanë cilësinë për të mbetur në letër. Duke mos qenë letërsi, u munduam që t’i gruponim në 4 kapituj kryesorë: Kronikat e Rrugës, që merret kryesisht me udhëtimet, Histori Gazetarësh që tregon nga brenda botën e medias, Leximet e së Dielës me recencsa të shkurtra për libra a filma që kam parë dhe Nëpër Shqipëri me reportazhe apo shkrime që kanë të bëjnë me jetën e zakonshme të gjithësecilit nga ne. Kapitullin e pestë ia lamë Sprovave letrare ku përfshimë disa tregime dhe poezi, si një lëmë tjetër i krijimtarisë që unë e lëvroj, si pasion tashmë.

Udhëtimet zënë një vend qendror në librin tuaj. A shkruani më mirë gjatë rrugës, në çast, apo pasi jeni kthyer e i keni përjetimet në distancë?

-Varet nga situata. Kur emocioni është kaq i fortë saqë nuk mund të presë kondensim, i shkruaj në çast. Madje i shkruaj në celular dhe kjo bën që të më shpëtojnë edhe gabime gramatikore, të cilat i rregulloj më pas. Por frika se mos harroj disa nga fjalët që më thonë, më bën që ta kapërcej këtë siklet- për një njeri që ka studiuar gjuhë-letërsi, gabimet gramatikore janë të pafalshme, edhe në statuset e facebook-ut. Ka të tjera, kur më duhet ta procesoj atë që më ka ndodhur, ta ballafaqoj me faktet dhe të jem e saktë në atë që do të shkruaj. Kështu më ka ndodhur me Belfastin p.sh., kur tregoj historinë e Titanikut apo lagjen e muraleve ku kanë ndodhur vrasjet midis republikanëve dhe separatistëve. Ose kur rrëfej historitë e grave gazetare në Festivalin Ndërkombëtar të Gazetarisë, më ndodh që i bëj në seri, domethënë një nga një që të ngulitet më mirë në kujtesë sesa në një shkrim të gjatë.

Nga të gjitha udhëtimet, cili vend ka lënë gjurmën më të fortë në mënyrën si perceptoni historitë njerëzore?

-Nuk kam një vend të caktuar, në çdo udhëtim unë kërkoj për Njeriun, për universalen, atë që na bën bashkë dhe na përcakton si banorë të planetit.

 – Shumë prej rrëfimeve tuaja lidhen me njerëz të zakonshëm që keni takuar rastësisht. Si zgjidhni cilat prej tyre bëhen pjesë e librit?

-Të gjitha rrëfimet, ato që tregojnë një histori, dhe na japin shijen e një momenti të caktuar që nuk vjen në televizion apo në shtyp. I shoh këto rrëfime si fotografi çasti që rrëfejnë më shumë se sa historine e tyre personale, ato përfaqësojnë një dukuri. Më shumë se sa i zgjedh unë njerëzit e zakonshëm, më duket se ata e zgjedhin vetë rrugën për t’u bërë personazhe të shkrimeve të mia, me sinqeritetin e tregimeve të tyre. Ndonjëherë nuk janë intervista, por biseda të dëgjuara, ndërsa mbaj radhën për diku, ose në konferenca a trajnime, ose në tavolinën ngjitur.

– A ka një histori që ishte fillimisht e vogël, pothuaj e padukshme, por në libër mori një domethënie krejt tjetër?

-Më shumë se sa vetëm një histori, mendoj se është grupimi i tyre nën okelion e përbashkët të kapitullit që i bën të fuqishme. P.sh. historitë e gazetarëve që janë mbledhur në konferenca apo biseda të çiltra, kur i lexon veç e veç mund të mos jenë shumë goditëse, po kur i lexon njëra pas tjetrës, ato marrin një domethënie krejt tjetër duke të rrëfyer një botë që vepron kudo njësoj, edhe pse gazetaria mund të bëhet në Tiranë, Madrid apo Portugali.

Për mua si autore, të gjitha historitë janë të rëndësishme, natyrisht ka disa që jam më shumë e lidhur p.sh.: Nëna e Shën Pjetrit ose Si mësova të eci me sy mbyllur? ose Protesta e Bijave. Nga bisedat që kam bërë me miq të mitë, disa prej tyre më kanë thënë që historitë e vajzave në autobus p.sh., u kanë lënë më shumë mbresë. Për disa historitë e taksistëve janë më mbresëlënëse, pres komente të tjera.

Si e përjetoni kalimin e shkrimeve nga një hapësirë e përkohshme si Facebook-u në një format të përhershëm? Mendoni se libri u jep atyre një jetë të re?

-Patjetër, ky është qëllimi. Libri është shtëpia e tyre e përjetshme dhe të jep një platformë mbi të cilën ti mund të diskutosh në çdo kohë. Nëse do t’i referohesh një teme të caktuar nuk ka nevojë të bësh kërkim nëpër Google, mjafton një orë në një shkollë a universitet a qendër komunitare me librin përpara dhe diskutimi vjen vetë. Nga ana tjetër, nëpërmjet bar-kodeve, libri të çon në hapësirën virtuale për të dëgjuar podkastet ose parë dokumentarin që janë pjesë e punës sime gjithashtu. Pra, sot ekzistojnë të gjitha mënyrat që historitë të shkojnë te lexuesi, në formën që ai e dëshiron më shumë. Po eksperimentoj edhe me versionin audio të shkrimeve që mund të dëgjohen në spotify ose në radio, sidomos për brezin e ri që është më i familjarizuar me këto platforma. Qëllimi është që mesazhi të shkojë kudo, pavarësisht formës dhe të nxitet interesi për gazetarinë si zeje e lexuar.

A ju ka ndihmuar reagimi i lexuesve online në kuptimin e tonit, stilit apo temave që prekni?

-Po, më ka ndihmuar më shumë në drejtim të nxitjes për të vazhduar të shkruaj. Lexuesit e mi përgjithësisht e pëlqejnë stilin tim dhe temat që unë zgjedh, dhe kërkojnë që t’i mbaj të përditësuar për udhëtimet. Aq sa më duket tani kur udhëtoj kam edhe një duzinë njerëzish me vete që presin t’u tregoj përshtypjet e mia:) Në një redaksi të strukturuar, unë do të isha gazetarja e udhëtimeve, por edhe gazetarja e kulturës, po aq sa edhe reporterja që kërkon përgjigje për pyetjet e lëna bosh.

 – Disa mendojnë se shkrimet e rrjeteve sociale nuk janë letërsi. Si i përgjigjeni kësaj pikëpyetjeje?

-Jam dakord, për sa kohë me shkrime kuptojmë postime të zakonshme, shprehje të opinioneve për çështje të caktuara. Nëse ato që poston janë letërsi, domethënë poezi apo tregime, pak rëndësi ka mediumi. Ato mbeten letërsi. Në rastin tim, ato janë shkrime publicistike, që mund t’i botoja në një gazetë nëse do kisha një rubrikë timen. Ndryshimi i vetëm është që nuk i kam botuar në shtypin e kohës, sepse nuk ka, por në rrjetin e kohës, në platformat që bëjnë të mundur komunikimin me audiencat përtej mediumeve tradicionale.

Pse keni zgjedhur pikërisht “Shqipëria në avionin e Londrës”? Çfarë përfaqëson Londra dhe ky udhëtim ajror për ju: një destinacion real, një simbol letrar apo një metaforë e një Shqipërie që lëviz mes largësisë dhe lidhjes me botën?

-Titulli i librit është titulli i njërit prej shkrimeve. Kështu ka ndodhur edhe në librin e parë. Londra është një metaforë e një Shqipërie që lëviz dhe përfaqëson një moment të rëndësishëm siç është emigrimi masiv, sidomos i zonave veriore drejt ishullit britanik. Po ndërkohë ata njerëz që janë larguar, kanë lënë mbrapa prindërit e tyre, shtëpitë, qytetet që po shkretohen, por edhe nismat e vogla që e bëjnë vendin tonë më të jetueshëm. Shqipëria që gjeta në avionin e Londrës është vetëm një pjesë, por atë mund ta gjeni në Çorovodë, Gjirokastër ose Korçë, kudo ku kam shkuar të raportoj, ose thjesht nga vëzhgimet e mia si gazetare.

Si e konceptuat kapitullin “Sprovë letrare” që përfshin njëkohësisht prozë dhe poezi, dhe çfarë ndikimi ka kjo për ritmin dhe tonin e librit?

-Ideja fillestare ka qenë që libri të botohej me dy kapakë: i parmi me shkrimet publicistike dhe i prapmi me poezitë dhe tregimet e shkurtra. “Sprovë letrare” është pjesë e krijimtarisë sime, është shprehje e realitetit me mjete të tjera siç është poezia. Mendoj që kjo i jep librit një thyerje interesante dhe më shumë peshë fjalës. Toni i librit është i tillë që i ka të gjitha, dhe realisten dhe lirikën, si jeta. Ajo që i bashkon është fjala.

⁠Çfarë dëshironi t’i mbetet lexuesit pasi mbyll faqen e fundit? Një ide që e ndjek, një emocion që e shoqëron apo një këndvështrim i ri mbi udhëtimet dhe njerëzit?

-Dëshiroj që lexuesit të bëhen pak më empatikë kur të mbarojnë librin, ta shohin tjetrin më me butësi, mbase edhe të reflektojnë pak se ku qëndrojnë në këtë tablo të madhe që quhet jetë. Dua t’u jap një palë shqisa të tjera që të shohin përtej të zakonshmes, përtej titujve të një lajmi, të shohin qytetet që po zhduken, fqinjët që po mplaken, të shohin veten. Do dëshiroja që lexuesve t’u kthehet shija e leximit dhe ta kuptojnë më mirë punën dhe rëndësinë e gazetarëve. Mbase disa frymëzohen nga shkrimet e mia dhe duan të bëhen gazetarë në të ardhmen.

ObserverKult


Lexo edhe:

REKOMANDIME LEXIMI NGA TEUTA DHIMA