Valdeta Dulahu: Do të vish

Ti do vish.
Sigurisht që do vish.
Kur të të ketë marrë malli për të korrat n’Vath t’Lekës,
për t’fshimen n’lamë
n’ Vardishë.
Kur të të kallet shpirti për pak ujë n’ Kroin e Ftohtë.
Do vish.
Sigurisht që do vish.
Kur të të merrë malli t’jesh hajdut
i një puthjeje tinza nën mullar.

Ti do vish.
Po Vatht e Lekës janë mbush ferra.
Lamën n’Vardishë e ka fshi koha qysh moti.
S’je i lodhur si atëherë nga t’korrat dhe
Kroi ftohtë s’e ka atë shije më.
Ti do vish.
Sigurisht që do vish.
Po vasha do jetë plakur
e mullari kalbur.
Vetëm puthja mbetur plagë
në buzët që përvëlohen nën mullar.

(1987)

LEXO EDHE: Valdeta Dulahu: Pse s’më merr me vete…