Guxo e bjerëm ndërmend
Mendimet e mia ftyrën kanë me ta çky
Guxo e dilëm përpara
Sytë kanë me m’leh në ty
Guxo e hape gojën
Heshtja jem nofullën ka me ta thy
Guxo e ma kujto veten tande
Kujtimet e mia tokën nën shputa kanë me ta gërry
Deri këtu kemi ardhë
1.
Kthemi copat e mia,
copat e gjumit të paqtë
Të buzëqeshjes së mëndafshtë të parandjenjës vijore
T’nervit tem të zaifët;
Copat e mia të shpresës pikaloshe
Të dëshirës së lustrueme t’shikimeve laroshe
Të lëkurës së ftyrës tem
Kthemi copat e mia
Kthemi derisa po të lus si njeri
2.
Ndigjo ti lugate
Hiqe atë shami t’bardhë
Unë t’njoh ty
Që prej vogëlie
Prej të njajtës kalanicë kemi pi
Në të njajtin çarçaf kemi ra
Me ty ti thikë sy-keqe
Në këtë botë të gabueme kemi ecë
Me ty ti gjarpën tinzar
A po digjon ti hileqare
Hiqe atë shami t’ bardhë
Pse duhet mu mashtrue.
3.
Nuk do t`maj kaliquksh n’shpinë
Nuk do të çoj ku t’më thush
S’do ta bâj edhe n`dukat me m’la
As i lidhun në trerrotak ere
As i zaptum me frena t’ylberit
Mos u mundo me m’ble
S’do ta bâj as me kambë në xhep
As i futun n’birë t’gjilpanës as i lidhun nyje
As i zvogluem në nji kallam të randomt’
Mos u mundo me m’tutë
S’do ta bâj as i pjekun as i thekun
As gjallë i kryposun
As n’andërr
Mos e mashtro veten
Asgja nuk dhezë, nuk du
4.
Jashtë prej pafundsisë tem t’murosun
Prej valles yjore rreth zemrës tem
Prej kafshatës tem të diellit
Jashtë prej të huejit det t’gjakut tem
Prej naltësisë tem, prej ultësisë tem
Jashtë prej heshtjes tem të thatë
Jashtë thashë jashtë
Jashtë prej humnerës tem t’gjallë
Jashtë prej trungut të zhveshun atnor n’mu
Jashtë deri kur më duhet me bërtitë jashtë
Jashtë prej kresë që po m`shpërthen
Jashtë veç jashtë
5.
Ty të vijnë kukullat
E unë në gjakun tem i laj
Me copa t’lëkurës tem i pshtjelli
Luhajë prej flokëve t`mia ju maroj
Karrocë prej rruazave t’mia
Avionë prej vetllave t’mia
Ju baj flutura prej buzëqeshjeve t’mia
Lodra prej dhambëve t’mi
Ta ndjekin e çojnë kohën
Po çfarë loje bâjnë ashtu
6.
Tu shoftë fara e fisi, e nama
E krejt çka ke n’jetë
Tu shoftë imazhi i etun n’tru
Dhe ndijimi përvlues n`majat e gishtave
Dhe secila secila pllambë
Në tre kazana t’ujit fatëkeq
Në tre furra të zjarrit t’shejt
Në tre gropa pa emën e pa tamël
E ftoftë të kjoft frymëmarrja deri n’fyt
Deri tek guri poshtë gjinit t’majtë
Deri tek marshi i briskut n’atë gur
Në ferr, në varr në boshllakun e pjellë
Në gërshantë e urituna t’fillimeve e fillimeve
Në mitrën qiellore ne njohsha unë
7.
Ç’po ndodh me copat e mia
S’do mi kthye a, nuk do?!
Do t’i djeg unë vetllat
S’do t`më jesh përjetë e padukshme
Do ta përziej natën me ditë në krye
Ke me i ra ti derës tem me ballë
Kam me t’i pre thojtë vërshëllues
Që mos me vizatue gjëegjëza n’trunin tem
Kam me t’i shty mjegullitë prej eshtnave
Me t’i thithë helmet prej gjuhës
Ke me pa çka kam me t’ ba
T’u shoftë kotilla e temeli e shkëlqimi
Dhe terri dhe pika në fund të jetës tem
E krejt çka ke n’jetë
8.
E ti po do na me u dashtë
Mundesh me më ba prej hinit tem
Prej rrënojave të qeshjes tem za-naltë
Prej mërzisë tem të mbetun
Mundesh bukuroshe
Me m’kapë për nji fije harrimi
Me ma përqafu natën n’këmishën e shkretë
Me ma puthë oshtimën
Po ti bre nuk di me u dashtë
9.
Ik lugate
Edhe fërkemet po na azdisen
Po hahen mas neve në pluhun
Nuk jemi njani për tjetrin
Ashpër ftohtë i pamë prej teje
Prej teje kapërcej prej fundit në fund
S’ka mbet gja prej lojës
Qysh i kemi përzi copat kështu
Kthemi çka po të duhen
Kot po të zbehen mbi supe
Kthemi e në hiçin tand ik
Ik lugate prej lugatit
Ku i ke sytë
Edhe këtu asht terr
10.
Gjuha e zezë, mesdita e zezë, shpresa e zezë
Krejt t’zeza veç rrënqethja jem e bardhë
Ujkun tem e paç n`fyt
Stuhi e paç shtratin
Lemeri jastakun tem
T’pafundme i paç trazimet
T’zjarrta i paç kafshatat e dhambët e dyllit
E ti përtypu grykëse
Sa të dush përtypu
Të heshtun e paç erën, të heshtun ujin, t’heshtuna lulet
Krejt të heshtuna veç kërcëllima jem e zhurmshme
Fajkoi jem në zemrën tande
Nanat ma pak me u tutë
11.
E kam fshi ftyrën tande prej ftyres tem
E kam shkul hijen tande prej hijes tem
T’i kam fashitë kodrat
Rrafshinat n’kodra t’i kam kthye
T’i kam shti stinët n`bela
I kam heq krejt anët e botës prej teje
E kam laku tanë udhën e jetës tem
Të pakalueshmen, të pamundunën
E ti tash përpiqu me m’takue
12.
Boll ma me jargitje t’ambla, boll me çikërrime të sheqerosuna
Asgja s’po due me ndigju, asgja me ditë
Boll, boll gjithçka
Kam me e thanë të fundit boll
Kam me e mbushë gojën me tokë
Kam me i shtrëngue dhambët
Me e pre kullimin në krye
Me e pre njiherë e mirë
Kam me ndejtë ashtu qysh jam
Pa rranjë, pa degë, pa kunorë
Kam me ndejtë tu u majtë në veten tem
Në gungat e mia
Kam me kanë nji shkop murrizi mrena teje
E vetmja gja që mrena teje muj me kanë
Në ty, ti lojë-prishse, në ty, ti kotësi
Mos u kthefsh
13.
Mos u tall lugat
Thikën e ke mshef poshtë shamisë
E ke shkelë vijën, ke marrë n`thue
E ke prishë lojën
Edhe qielli me u rrotullue
Edhe dielli në tokë me ra
Edhe copat me mu përzi
Mos e tall lugate- lugatin
Kthemi copat e mia
Edhe unë t’i kthej tuat!
…
Përktheu: Vlora Konushevci
…
Vasko Popa lindi më 29 qershor 1922 në fshatin Grebenac në Vojvodinë, dhe kishte përkatësi etnike rumune. Në vitin 1940 ai u regjistrua në Fakultetin Filozofik në Beograd, për t’i vazhduar studimet e tij në Bukuresht dhe Vjenë. Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1949 ai u diplomua në gjuhët romane në Fakultetin Filozofik të Beogradit. Nga viti 1954 deri në vitin 1979 ai ishte redaktor i shtëpisë botuese “Nolit”. Vasko Popa është një nga themeluesit e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Vojvodinës, e themeluar më 14 dhjetor 1979 në Novi Sad. Ai ka publikuar tetë vëllime me poezi të cilat janë përkthyer në shumë gjuhë të botës duke e bërë Vasko Popën si njërin ndër poetët më me ndikim në botë.
ObserverKult