Këto vendet janë shumë të famshme, por nuk kanë ekzistuar asnjëherë!

Udhëtarët e vjetër shpesh tregonin për qytete përrallore, ishuj fantazmë dhe qytetërime ekzotikë të vendosura thellë në largësitë e pashkelura të globit. Këto toka imagjinare janë shpërfillur zakonisht si mite dhe legjenda, por disa gjetën vend nëpër hartat e botës dhe ndihmuan të frymëzojnë disa nga udhëtimet më të rëndësishme të zbulimit në histori. Nga një perandori përrallore e krishterë në Azi, tek një mbretëri e humbur e supozuar në Kanada, mësoni më shumë rreth gjashtë tokave më me ndikim, por që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë.

Mbretëria e Prift John-it: Për më shumë se 500 vjet, evropianët besonin se një mbret i krishterë qeveriste mbi një perandori të madhe diku në vendet e egra të Afrikës, Indisë apo Lindjes së Largët. Miti fitoi fillimisht popullaritet në 1165, pasi perandorët bizantine dhe të Romës morën një letër – me shumë gjasa një falsifikim – nga një monark evropian i cili e quan veten “Prifti John.” Mbreti misterioz pretendonte se shërbente si “sundimtari suprem i të tre Indive” dhe gjithë 72 mbretërive të saj. Ai e përshkroi mbretërinë e tij si një utopi të pasur me ar, të mbushur me qumësht dhe mjaltë dhe të populluar nga raca ekzotike gjigantësh dhe njerezish me brirë. Ndoshta më e rëndësishmja nga të gjitha, John-i dhe subjektet e tij ishin të krishterë.
Një mision i Papës për të gjetur oborrin e  Prift Johnit u zhduk pa lënë gjurmë, por miti i mbretërisë së tij mbeti në mesin e evropianëve. Të krishterët e kryqëzatave gëzoheshin me idenë se një sundimtar i devotshëm mund t’u vinte në ndihmë në luftën kundër Islamit, dhe kur një hordhi e Genghis Khan-it pushtoi pjesët e Persisë në fillimin e viteve 1200, shumë vetë kujtuan gabimisht se ishin forcat e Prift John-it. Mbretëria fantastike më vonë u bë një subjekt magjepsjeje për udhëtarët dhe eksploruesit. Marco Polo thuri një përrallë të dyshimtë, se kishte takuar mbetjet e saj në pjesën veriore të Kinës, dhe Vasco da Gama dhe detarët tjerë portugezë e kërkuan në Afrikë dhe Indi. Ndërsa kërkuesit përfundimisht zbuluan një qytetërim të krishterë në Etiopi, atij i mungonte madhështia – dhe – ari që evropianët i lidhnin me mbretërinë e Prester John-it. Rreth shekullit të 17, legjenda ishte venitur, dhe perandoria e famshme u hoq nga lista në shumicën e hartave.

Hy – Brasil: Shumë kohë përpara se evropianët të kishin shkelur në Botën e Re, eksploruesit kërkuan më kot për ishullin e Hy-Brazil, një ishull koralor i një fantazme, që thuhej se rrinte ne pergjim në bregun perëndimor të Irlandës. Historia e ishullit ka shumë të ngjarë të vijë nga një legjendë Kelte – emri i saj do të thotë “Ishulli i të bekuarve” në gjuhën kelte – por origjina e saj e saktë është e paqartë. Hy-Brasil në fillim filloi të shfaqej në harta në shekullin e 14, zakonisht në formën e një ishulli rrethor të vogël, i ndarë në dysh nga një ngushticë. Shumë marinarë e pranuan atë si një vend të vërtetë deri vonë në vitin 1800, dhe ai u bë ushqimi popullor për mite dhe perralla. Disa legjenda e përshkruanin ishullin si një parajsë të humbur apo utopi; të tjerët vunë në dukje se ai ishte përjetësisht i errësuar nga një perde e dendur errësire dhe mjegulle, dhe bëhej i dukshëm për syrin e lirë vetëm çdo shtatë vjet.
Pavarësisht reputacionit të tij fantastik, Hy-Brasil u kërkua gjerësisht nga kërkuesit kryesisht Britanikë në shekullin e 15-të. Timonieri John Cabot nisi disa ekspedita për ta gjetur, dhe me sa duket shpresonte ta haste gjatë udhëtimit të tij të famshëm të bregut të Neëfoundland (tokës së sapogjetur) në 1497. Dokumente nga koha e Cabot-it pretendojnë se eksplorues të mëparshëm kishin arritur tashmë Hy-Brasil-in, duke i çuar disa studiues të argumentojnë se këta marinarë mund të kenë udhëtuar aksidentalisht gjithë rrugën për në Amerikë, para Kristofor Kolombit.

Thula: Një subjekt magjepsje për eksploruesit e lashtë, poetët romantikë dhe okultistët nazistë, Thula ishte një territor i pakapshëm me sa duket i vendosur në Atlantikun e ngrirë të veriut pranë Skandinavisë. Legjenda e saj daton në shekullin e 4-t para Krishtit, kur udhëtari grek Pytheas deklaroi se kishte udhëtuar drejt një ishulli të akullt përtej Skocisë, ku dielli rrallë ulej në nivelin e tokës, deti dhe ajri ishin të përzierë në një masë të çuditshme – si pelte.
Shumë prej bashkëkohësve të Pytheas dyshuan në pretendimet e tij, por “Thula e largët” la gjurmë në imagjinatën evropiane, dhe përfundimisht filloi të përfaqësonte vendin më verior në botën e njohur. Eksploruesit dhe kërkuesit në mënyra të ndryshme e identifikuan atë si Norvegjinë, Islandën dhe Ishujt Shetland, dhe kjo ka shërbyer si një motiv i përsëritur në poezi dhe mitologji. Ishulli është ndoshta më i njohur për lidhjen e tij me Shoqërinë Thule, një organizatë ezoterike e pas Luftës I Botërore në Gjermani, që e konsideronte Thulen si shtëpinë stërgjyshore të racës ariane. Grupi me bazë në Mynih numëronte shumë nazistë të ardhshëm mes miqve të tij, duke përfshirë Rudolf Hess-in, i cili më vonë shërbeu si zëvendës i Fyhrerit të Gjermanisë.

El Dorado: Duke filluar nga shekulli i 16, eksploruesit dhe pushtuesit europianë ishin magjepsur nga rrëfimet e një qyteti mitik prej ari që ndodhej në horizontin e pashkelur të Amerikës së Jugut. Qyteti e kishte origjinën e vet në tregimet e “El Dorado-s” (“i Arti”), një mbreti vendas i cili e pluhurosi trupin e tij me ar dhe më pas, bizhuteritë dhe arin i hodhi në një liqen të shenjtë, si pjesë e një ceremonie kurorëzimi. Tregimet për mbretin e praruar përfundimisht çuan në thashethemet e një qyteti të artë me pasuri të patreguar dhe shkëlqim, dhe aventurierët kaluan shumë vite – dhe jetë të panumërta –  në një kërkim të pafrytshëm për pasuritë e tij.
Një nga ekspeditat më të famshme të El Dorado-s u bë në 1617, kur eksploruesi anglez Sir ëalter Raleigh udhëtoi drejt burimeve të lumit Orinoco për të gjetur atë, që tani është Venezuela. Misioni nuk gjeti asnjë gjurmë të qytetit të artë, dhe Mbreti James I më vonë e ekzekutoi Raleighin, pasi ai nuk iu bind një urdhëri për të shmangur luftën me spanjollët. El Dorado vazhdoi të nxisë eksplorimet dhe dhunën koloniale deri në fillim të vitit 1800, kur shkencëtarët Alexander von Humboldt dhe Aimé Bonpland i vune vulën qytetit si një mit, pasi ndërmorrën një ekspeditë kërkimore në Amerikën Latine.

Ishulli i Shën Brendan-it: Ishulli i Shën Brendan-it ishte një mishërim misterioz i Parajsës që, mendohej njëherë e një kohë, ishte fshehur diku në lindje të Oqeanit Atlantik. Miti i ishullit fantazmë daton pas në “Navigatio Brendani,” ose “Udhëtimi i Brendan-it,” një legjendë 1,200-vjeçare irlandeze rreth lundrimit të një murgu, Shën Brendan Lundërtari. Ndërsa historia vazhdon, Brendani udhëhoqi një ekip marinarësh të devotshëm në një udhëtim të shekullit të 6, në kërkim të të famshmes “Toka e Premtuar e shenjtorëve.” Pas një udhëtimi veçanërisht plot ngjarje në det të hapur – gojëdhëna përshkruan sulmet e bëra nga gjigandët që përdornin topa zjarri dhe zënkat me zogj që flisnin – Brendani dhe njerëzit e tij zbarkuan në një ishull të mbuluar me mjegull, të mbushur me fruta të shijshme dhe xhevahire xixëllues. Ekuipazhi mirënjohës thuhet të ketë kaluar 40 ditë duke eksploruar ishullin, para se të kthehej në Irlandë.
Ndërsa nuk ka asnjë dëshmi historike të udhëtimit në det të Shën Brendan-it, legjenda u bë kaq popullore gjatë periudhës mesjetare, saqë “Ishulli i Shën Brendan-it” gjeti rrugën e tij në shumë harta të Atlantikut. Hartografët e hershëm e vendosën afër Irlandës, por në vitet e mëvonshme migroi në brigjet e Afrikës Veriore, ishujt Kanarie dhe në fund në Azore. Detarë shpesh pretendonin të kishin kapur pamje të rrufeshme të ishullit gjatë Epokës së Zbulimit, dhe është e mundshme që edhe Kristofor Kolombi të besonte në ekzistencën e tij. Megjithatë, legjenda e tij përfundimisht u venit pasi shumë ekspedita kërkimi dështuan për ta gjetur. Aty nga shekulli i 18-të, e famshmja “Toka e Premtuar e Shenjtorëve” u hoq nga shumica e hartave të lundrimit.

Mbretëria e Saguenayt: Historia e Mbretërisë mirazh te Saguenay-it daton në 1530, kur eksploruesi francez Jacques Cartier bëri udhëtimin e tij të dytë në Kanada, në kërkim të arit dhe një kalimi për në veriperëndim të Azisë. Ndërsa ekspedita e tij udhëtoi përgjatë lumit të Shën Lorencit, në Quebecun e sotëm, udhërrefyesit Iroquois të Cartier-it filluan të pëshpërisin tregime të “Saguenay-it,” një mbretëri e madhe që shtrihej drejt veriut. Sipas një shefi të quajtur Donnacona, mbretëria misterioze ishte e pasur me erëza, gëzofe dhe metale të çmuara, dhe ishte e populluar nga flokëverdhë, burra mjekrroshë me lëkurë të zbehtë. Historitë përfundimisht i mori rryma për në mbretërinë e absurdit – vendasit pohouan se rajoni ishte edhe shtëpia e racave të njerëzve me një këmbë e fiseve të tëra “që nuk posedonin anus” – por Cartier-i u marros pas idesë së gjetjes së Saguenay-it dhe plaçkitjes së pasurive të saj. Ai e ktheu Donnacona-n përsëri në Francë, ku kryetari Iroquois vazhdoi të përhapte gojëdhëna të një mbretërie të humbur.
Legjenda rreth Saguenay-it do t’u fanitej eksploruesve franceze në Amerikën e Veriut për disa vjet, por gjuetarët e thesarit asnjëherë nuk gjetën ndonjë gjurmë të tokës mitike të bollëkut apo banorëve të saj të bardhë. Shumica e historianëve tani e heqin atë nga mendja si një mit apo përrallë të gjatë, por disa argumentojnë se vendasit mund t’i jenë referuar në fakt vendburimeve të bakrit në veriperëndim. Të tjerë kanë sugjeruar se Mbretëria e Indianëve të Saguenay-it mund të ketë qenë frymëzuar nga avanposti Skandinav i vjetër, i mbetur nga Udhëtimet Vikinge në Amerikën e Veriut.

ObserveKult

——————-

Lexo edhe:

30 VENDE PËRRALLORE, POR TË BRAKTISURA (FOTO)

ObserverKult