Verbëria, një apel për të parë Veten dhe Tjetrin në sy


(Shënime për romanin “Verbëria” të nobelistit Jose Saramango)

Nga Agim Baçi

Jo shpesh ndodh që të marrësh një libër e ta lexosh në një këndvështrim krejt tjetër nga hera e parë. Fabula e romanit “Verbëria” e Jose Saramangos, më shumë dukej një distopi, më kish ardhur si një metaforë ku u kërkohej njerëzve që të shihnin gjërat rreth tyre, e sidomos njerëzit me të cilin lidhnin përditshmërinë e tyre, përpara se t’i humbnin ata. Vetë shkrimtari portugez, në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel, në vitin 1998, shprehej se “shpesh njerëzit tregohen të verbër, ose bëjnë sikur!”.
Për këdo që nuk e ka lexuar, fabula ndërtohet pas një verbërie të bardhë që rrok pjesën më të madhe të qytetit. Nis me një djalosh në semafor, teksa nuk dallon më shenjat e semaforit, e pastaj për të rrokur me radhë doktorin, sekretaren, hajdutin e makinës së djalit që u verbua i pari, pastruesen e hotelit, ndihmësfarmacistin, e pastaj një pas një kushdo që kishte një lloj lidhje me të infektuarit e parë. Autoritetet e qytetit kërkojnë që t’i izolojnë menjëherë sa më larg të tjerëve. Dhe zgjidhja për ta është një pavijon në spitalin e të çmendurve. Por mes të verbuarve futet edhe gruaja e doktorit, që nuk është e verbër, por shoqëron burrin e saj në këtë betejë të panjohur, të frikshme. Askush nuk e di që ajo sheh, përveç të shoqit. Me shtimin e të verbërve nis beteja. Instinkti i mbijetesës me çdo kusht, pa asnjë pyetje morale, kalon në radhë të parë mes atyre që futen në atë spital, ndërsa shteti mendon se është më mirë t’i lërë të vdesin, apo t’i vrasë.
Qyteti ku ndodh ngjarja është pa emër. Edhe ata që sëmurën janë pa emër. Pra, një shoqëri që ka humbur individualitetin, dhe ku shumëkush njihet me profesionin, me shkallën sociale së cilës i përket. “Hajduti”, “doktori”, “gruaja e doktorit”, “vajza me syze të errëta”, “djali më sy të vëngër”, “ushtari”, etj., etj. janë vetëm disa nga emërtimet, përballë një makinerie që kërkon t’i shfarosë, ndërkohë që të verbuarit kërkojnë mbijetesën të mbështetur te instinkti. Aty edhe ai që nuk ka menduar kurrë vrasjen apo dhunimin, e sheh veten përballë mundësisë për të qenë i tillë. Dhe pas një beteje ku njeriu u mbështet vetëm në instinkt, pa asnjë arsye, pa asnjë kufi, shpëtojnë vetëm ata që hynë të parët në spital, përveç hajdutit të makinës së të verbuarit të parë që humbi jetën që në fillim për shkak se deshi të dhunonte vajzën me syze të errëta. Dhe gjithçka në këtë rrëfim pa pikë të Saramangos mbyllet me fjalët e doktorit, teksa të shpëtuarit shohin sërish qytetin: “Pse u bëmë të verbër, Nuk e di, ndoshta do ta zbulojmë një ditë arsyen, Do ta them se ç’mendoj unë, Thuaje, Unë mendoj se nuk u bëmë të verbër, se ne ishim të verbër, të verbër që shohin, të verbër që, duke parë, nuk shohin”. (Jose Saramango, “Verbëria”, në shqip Nasi Lera, Dudaj, f.353)
Saramango thërret në apel që ta bëjmë këtë veprim – për të parë sa më parë veten dhe tjetrin- përpara se të mos shohim më asgjë përballe nesh, përpara se të mbështetemi vetëm në instinktin e mbijetesës. Sepse, nën këmbët e verbërisë, shumëçka nuk vendoset më nga ty, sepse e drejtojnë të tjerë, janë të tjerë që vendosin për ty, për jetën tënde, për të ardhmen tënde.
Një apel për shumë nga ata që sot qëndrojnë në shtëpi dhe që mund të jenë habitur me shumëçka që kanë patur afër tyre. Një pjesë jo e vogël mund të habiten me atë që nuk e kanë parë, sepse nuk i kanë kthyer sytë apo vëmendjen kurrë, edhe pse e kanë patur shumë pranë vetes. Shumë nga ata që janë përballë të afërmve të tyre, ose edhe në vetminë e tyre, mund të gjenden të befasuar nga pamundësia për të jetuar ashtu. Sepse ata nuk kanë kujtime, por vetëm një jetë që nxiton, një jetë të varur nga konsumi i përditshëm, nga ajo që na sugjerojnë të tjerët. E sot, që u duhet të bashkëbisedojnë apo meditojnë, mbeten thuajse pa fjalë, sepse nuk e kanë takuar kurrë as vetveten e as tjetrin. Kështu, jetët e tyre nuk janë më të tyret, sepse ata e kanë humbur udhën. Dhe kur e humbet atë udhë, çdo lloj diktature bëhet streha e gjithkujt.
Të meditosh është një emigrim brenda vetes sonë, brenda hapave që kemi hedhur. Por nëse ne nuk kemi asgjë për të cilën të kujtohemi, nëse nuk kemi asgjë për të cilën kemi menduar apo vendosur vetë, atëherë për çfarë mund të kthejmë sytë pas? Ndaj dhe “Verbëria” e Saramangos më erdhi si një apel, si një thirrje për ta shfrytëzuar si një kohë për veten, por edhe për këdo me të cilët ndajmë jetën dhe ditët tona dhe për të besuar se jemi ne ata që mund të vendosim më shumë, përpara se t’ua dorëzojmë veten tonë të tjerëve për të vendosur për ne.
Shumëkush mund të mos e ketë besuar ende se kjo situatë që ndodh në mënyrë kaq të papritur mund të jetë një realitet krejt tjetër nga ai që ka menduar gjer më sot. Nuk është e thënë që të jemi të mbyllur si personazhet e Saramangos për ta kuptuar se sa e rëndësishme është të shohim në kohën e duhur atë që ndodh përballë nesh. Pra, nuk duhet thjesht të shihemi me sy hapur, por mbi të gjitha, të kuptohemi – të kuptojmë se sa të rëndësishëm jemi ne si qenie njerëzore për njëri-tjetrin.
Letërsia jo pak herë i ka parashikuar gjërat. I ka parashikuar Kamy-ja me romanin “Murtaja”, i ka parashikuar Aldous Haxley me librin “Më e mira e botëve”, i ka parashikuar Orwell-i me romanet “Ferma e kafshëve” apo “1984”. Por Saramango është nga ata shkrimtarë që ka paraprirë diktaturën e padukshme – diktaturën e veprimeve vetëm me instinkt mbijetese, duke dorëzuar çdo individualitet tonin./ ObserverKult