Visar Zhiti: Më revolton kur nuk revoltohemi, më tmerron kur nuk tmerrohemi… 

Visar ZHITI
Visar Zhiti

Flasim përhanshëm” me shkrimtarin Visar Zhiti.

Nga: Xhemazije Rizvani

– Ç’lloj i përndjekjes është më i tmerrshëm?

Mbase të gjitha përndjekjet janë lloje të së tmerrshmes. Sot them se përndjekja më e tmerrshme është kur nuk të duan. Edhe kur nuk do/ nuk dashuron më asgjë, një farë mënyre ke ushtruar një lloj përndjekje. Dhe kjo të çon në tmerrin e moskuptimit, ku urrejtja, duke u bërë kolektive, shndërrohet në luftë.

– Çka nuk dinë ata që të mbajtën prapa grilave për poezinë?

Nuk dinin që prapa grilave ishin njerëz dhe ata vetë harronin që të dinin të ishin njerëz.

Foljet nga ana gramatikore i vura në kohën e shkuar, sepse pata frikë t’i vendos në kohën e tanishme sikurse janë në pyetje. Por më vjen keq, kur e dimë që është dhe ashtu siç thoni ju. Duhet të kenë kuptuar shumë dhe duhet të jenë penduar në njëfarë mënyre.

Ata më burgosën mua se zbuluan që shkruaja poezi, që nuk u shërbenin atyre, politikës së dhunës, kur poezia është liri, fjalë që ta bëjnë jetën më të bukur. Falë dritës së poezisë, unë shkruajta poezi dhe në errësirë, falë errësirës së poezisë unë shkruajta poezi dhe në dritë. Edhe atje ku e kisha të ndaluar rreptësisht. Dhe nxora nga burgu poezitë e mia. Kam botuar herë pas here dhe janë përkthyer, madje dhe në Maqedoninë e Veriut, në të Jugut për ne, shqiptarët. Në Shkup doli libri im me poezi “Mbjellja e vetëtimave” nën kujdesin e shkrimtarit Resul Shabani dhe më vonë në gjuhën maqedonase “Bos i lud”, përkthyer po nga Resul Shabani së bashku me kritikun Ali Aliu me një parathënie vlerësuese nga Ante Popovskij.

Së fundmi shtëpia botuese “Onufri” në Tiranë nxori “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, një libër voluminoz, botim anastatik, pra me shkrimin tim të dorës, siç ishin shkruar në ferr. Ngjan se tani burgun e futa unë në burgun… e letërsisë. Ky ishte fati im. Por dhe i të tjerëve bashkavuajtës. Dhe besoj se me “letërsinë tjetër”, atë që doli nga burgjet dhe internimet ua treguam atyre që na mbajtën prapa grilave për poezinë. Jo vetëm kaq, sollëm qëndresën njerëzore dhe nga të vërtetat…  

– Çka nuk ju fal asnjëherë?

Këtë, që të mos falësh asnjëherë. Duhet ditur të falësh, por më parë dhe të kërkosh falje. Dhe midis tyre duhet fuqishëm drejtësia. Jemi një shoqëri e dalë nga një diktaturë e keqe, ende posdiktaturë, me trauma të persekutuarish dhe trushpëlarje persekutorësh.

Fali se nuk dinë çfarë bëjnë, tha Krishti. Por kur e dinë çfarë bëjnë?

– Kur vlen dhe s’vlen jeta?

Jeta vlen përjetësisht, është e pambarim, sendërtohet tek ty, në vepra, te fjala e dashuria, tek të tjerë, vazhdon përtej kufijve të saj tokësorë, në ëndrrën qiellore, rikthehet prapë në tokë dhe gjen vetveten nëpërkudo…

Unë nuk e di kur nuk vlen jeta… ka ditë që s’duhen, ka absurd, drama të rënda, diktatura e luftra e tragjedi, por jeta është tjetër gjë dhe mbi këto, sfida e tyre, jeta është vetvetja…

– Për çka garojmë në jetë?

Për të gjitha. Unë nuk gjej të thënë më bukur, më me kuptim dhe më me përmbajtje se sa në këtë lutje të Shenjtes tonë Nënë Tereza. Më lejoni ta sjell këtu, shqipërim imi:

 Jeta është pranimi, pranoje.

Jeta është bukuria, zbukuroje.

Jeta është lumturia, lumturoje.

Jeta është ëndrra, ëndërroje.

Jeta është kundër, kundërshtoje.

Jeta është detyrë, detyroje.

Jeta është lojë, luaje.

Jeta është pasuria, pasuroje.

Jeta është vlera, vlerësoje.      

Jeta është gëzimi, gëzoje.

Jeta është besa, besoje.

Jeta është dhembja, dhembshuroje.

Jeta është kënga, këndoje.

Jeta është tragjedia, çtragjedizoje.

Jeta është mbulesa, zbuloje.

Jeta është dashuria, dashuroje.

Jeta është jetë, jetoje.

– Përse kthehet perëndia mbrapsht? Po e dashura?

          Besoj po aludoni për romanin “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”? E botova në shekullin e ri dhe mijëvjeçarin e ri, në vitin 2004 në Tiranë, ka një dashuri që është më e fortë se tragjedia e vet. Janë ngjarje fiction, por po aq dhe reale në diktaturë dhe më pas, në një burg grash, në internim, në Shkodër, kalohet dhe deti, gjysma e romanit zhvillohet në Itali dhe kreu i fundit në Vjenë, në vitin 2000, por protagonistin sikur e ndjekin prapsitë, e kaluara e sulmon gjithandej, e përgjak, megjithëse ai ndjehet me flatra, gjysmë perëndi. Të tillë e bën dashuria. Ai dashuron marrëzisht, ndërkaq të dashurën e tij, gruan ia vranë djajtë, ata që bënë diktaturën.
Romani u përkthye italisht nga prof. Elio Miracco dhe u botua në Itali, u prit mire, shkruajti dhe kritika italiane dhe nisi të përkthehej dhe në një nga gjuhët gjermanike për t’u botuar në një vend tjetër europian, befas ndërpritet. Kishte ndërhyrje nga këtej, siç duket me ndikim dhe romani im u la. Pra, prapë Perëndia mbrapsht. Por dashuria është më e fuqishme, vazhdon dhe pas vdekjes,

– Në cilat gjëra ka llahtar?

Në të gjitha gjërat e llahtarshme. Ngjan me atë që thamë, që s’do dhe s’e duan, prej tyre priten të gjitha.

Si duket vetmia e poetit?

Vetmia e poetit është vetmi krijuesi, do të thosha, që kurrë nuk është vetëm, është me fantazinë e tij, me metaforat, me fantazmat, edhe ato të lexuesve, me librat, pastaj si çdo njeri tjetër është me ata që do, me familjen, miqtë, etj, në fakt nuk ka vetmi për askënd, jemi bashkë me kohën. Vetmia e poetit është përbashkuese… 

 Nga se përbëhet lumturia juaj?

Lënda e lumturisë sipas meje është dashuri, krijim, punë, gjithë universi plot dritë dhe paqe që vjen rrotull tyre…

– Ëndërroni më shumë ditën apo natën?

Kur të duan ëndërrat, ato kanë kalendar shpesh të ndryshëm nga yni.

Ku të ka mbetur besimi pa humbur ?

Besoj te njeriu dhe te krijuesi i tij. Shpreso dhe kur nuk ka shpresa, është vargu i një poezie të hershme.

– Sa larg është Shqipëria nga Amerika ? (Distanca  poetike )

          Thuhet shpesh që bota po bëhet më e vogël dhe unë lutem që njeriu te bëhet më i madh. Amerika është “përtej oqeanit” për shqiptarët në trojet e tyre në Ballkan, të vjetrit thoshin “prapa diellit”, por poeti ynë Kombëtar, Naim Frashëri, ka një varg, që s’është vetëm poetik, “lind andej nga perëndon”.

          Kur themi Amerika, shpesh e kemi fjalën jo për të gjithë kontinentin, por për SHBA, vendin e madh, kampion i lirisë dhe i demokracisë dhe i mirëqenies, superfuqi botërore, që për kombin tonë të vjetër, por të vogël, në historinë e re, ka qenë shpëtimtari, ndërhyri për moscopëtimin e mëtejshëm në fillim të shekullit XX, kur sapo e kishim shpallur pavarsinë dhe në fund të shekullit XX ndërhyri duke udhëhequr NATO-n për të çliruar Kosovën dhe që të shpallet Republikë. Është aleati jetik i kombit shqiptar.

          Do të thodha se dhe në këngët tona popullore, në poezinë shqipe, në romane e filma, ka Amerikë. Për fat dhe në artet amerikane ka prani Shqipërie. Të kujtojmë poetin amerikan Longfellow dhe poemën e tij “Skënderbeu”, të përkthyer shkëlqyer nga Imzot Noli, me emrin e të cilit u pagëzua së fundmi dhe një rrugë në New Yorkun e madh. Shqipëria është, p.sh., dhe në pikturën amerikane, deri edhe në kinematografinë e sotme. Shenjtja Nënë Terezë kishte dhe nënshtetësinë amerikane. 

Tashmë në Amerikë është një diasporë shqiptare e disa shtresave, e hershme, madje dhe arbëreshe nga Italia, më të vonë nga Shqipëria e gjithë trojet e saj në Ballkan, nga Kosova, Maqedonia, nga Mali i Zi, etj. Shqiptarët përdorin lirshëm dhe me krenari flamurin kombëtar, gjuhën shqipe, këngët dhe vallet e tyre të mrekullueshme, kanë shoqata të tyret, shkolla, kanë “Vatrën” mbi një shekullore dhe “Diellin”, gazeta më e vjetër e të gjitha diasporave në SHBA, kanë lidhje shkrimtarësh shqiparo-amerikanë, artistë në të gjithë artet, kanë kishat e tyre, xhami e teqe, bizneset, kompanitë dhe mirënjohjen e pafund për SHBA.

           Do të thosha se “largësia poetike”, – përcaktuar bukur nga ju, – mund të jetë e madhe me gjërat që ke pranë dhe mund të mos ekzistojë me ato që të duket se i ke larg.

Cilat libra të bëjnë njeri të mirë?

Ka libra të mirë dhe jo të mirë, madje dhe të këqij, edhe të dëmshëm, gjithsesi janë dije, përvojë, jetë të tjera dhe ka lexim të mirë të tyre ose jo, e kam fjalën për të kuptuarit, se si do të shërbejnë. Është si me ushqimin… Varet se ç’pranon trupi yt, mendja jote, shpirti…

Përse s’ ka paqe mes njerëzve?

Ka herë pas here luftë për paqe, gjithmonë triumfuese.

Pa poezi si do ishte Visar Zhiti? Kush do ishte?

S’e di. Edhe me poezi s’e di kush jam. Ndoshta jemi më shumë ajo që shikojnë të tjerët tek ne.

– Për çka akoma keni kohë për pendesë?

Ka kohë për të gjitha, por s’duhet pritur se pastaj nuk ka kohë për asgjë.

Sa e vështirë është të harrosh ditët e këqia ?

          Shumë…

– Autorët dhe librat e tu të dashur?

          Nuk janë pak. Por thonë se kur një dashuri tregohet, nis dhe mbaron

Ç’ po shkruani këto ditë?

Kam mbaruar një roman, me te cilin punova fuqishëm këto dy vjetët e fundit. Shpresoj të botohet këtë vit. I flet së shkuarës dhe të ardhmes më shumë. Histori njerëzore, jetë e shkruar…

Ç’ ka ju revolton dhe ju tmerron në të njëjtën kohe ?

Unë duhet t’i kem të gjitha këto, madje dhe në një intervistë: përndjekjen, tmerrin, poezinë pas grilave, mosfaljen, llahtarin, vetminë, mosbesimin, pendesën, ditët e këqia, revoltën dhe tmerrin në të njëjtën kohë?

Shumëçka na revolton dhe duhet të revoltohemi, por edhe na tmerron, s’ka rëndësi se kur, koha është një, ne e ndajmë, etj, etj. Do të thosha se banalizimi i së mirës më revolton dhe banalizimi i së keqes më tmerron. Më revolton kur nuk revoltohemi, më tmerron, kur nuk tmerrohemi..  

Për çka është herët ?

Ndonjëherë është herët për të lindur, por edhe për të vdekur.

ObserverKult

Lexo edhe:

BUQETË POETIKE NGA VISAR ZHITI: SI SHKOHET NË KOSOVË, TREGOMË!