Visar Zhiti: Mirëmbrëma, Prishtinë!

edhe ëndrrat lodhen poezi nga visar zhiti
Visar Zhiti

Mirëmbrëma, Prishtinë!
Sa e kam pritur këtë natë
Të hyjë mes netëve të mia.
Dua dy cigare nga ti
Për gëzimin dhe dhimbjen time bashkë.
Ku ta ndez,
Në yllin tënd më të bukur
të shpirtit?

Sa të mëdhenj dhe sa afër
janë yjet e tu, Prishtinë!
Mund të ul një degë qiellore
dhe t’i mbledh një nga një
si bekimet.

Cigaren tjetër do ta ndez
Te qiri yt i jetës
Që të mos më mungojë më nata jote,
Prishtinë!

ObserverKult


Lexo edhe:

VISAR ZHITI: BIRI IM… AJO M’I PUTHI LOTËT, QË NUK I FSHEHA DOT…

Nga Visar Zhiti

Bir, i vogli im, i bukuri, degë e gjelbër krahu yt, që më futet në ëndrra, rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë përherë…
E di ç’do të bëhem kur të rritem?…

Bëhu ç’të duash, biri im, por i dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je!
Ç’të të them, unë do mundohem të hap rrugën të gjesh vetveten, pa të të ngacmuar, por dhe ti mos ngacmo kënd.

Apo është e pamundur, duhen ditur të gjitha, por nuk duhen bërë të gjitha.
Bëj vetëm mirë, bir, kjo është e mundur. Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të
shkelin. Edhe përsosmëria jote është e mundur, si gdhëndja, hiq të tepërtat dhe
jeta është e vetmja pasuri, shërben për ëndrrën dhe ëndrra për jetën, ndoshta
janë e njëjta gjë.

Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre vizatimeve të zemrave që bën ti, ec dhe ec dhe shto zemrat… Dhe vizatoje ëndrrën tënde.
Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim sidomos, mendjen dhe shpirtin, se ti je dhe ati im njëkohësisht dhe unë lutem fshehurazi për ty, pa më parë, në shqipen e vjetër “At’jon…”, ashtu siç ke dhe emrin.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult