Visar Zhiti për poezinë e Matoshit: Poezi e njohjes, filozofisë dhe urtisë biblike …

halil matoshi

Recension për poezinë e Halil Matoshit

(Halil Matoshi, The Lil’s Poem, Littera, Prishtinë, 2023)

visar zhiti

– Nga Visar Zhiti –

1.

Kush e njeh dhe di për jetën e Halil Matoshit, poet, eseist, tregimtar, gazetar, etj., që merret edhe me pikturë, që ka qenë katër herë i arrestuar nga pushtuesi serb, ndërsa gjatë luftës (1999) e morën peng  dhe e dërguan në kampet e tyre të përqëndrimit, etj., shikon se kështu është dhe poezia e tij, një lëvizje dramatike, akte shpirtërore, dashuri dhe nderim…

Halil Matoshi jeton siç shkruan dhe shkruan siç jeton, pa një kufi mes tyre.

 2.

Libri i tij më i ri, “Poema e Lilit”, është prurje tjetër në poezinë shqipe, vazhdues i vlerave të përbashkëta poetike dhe pasurues i tyre. Ky libër sublimon kohë dhe vend, pra nga jeta e tij dhe trualli i tij, nga shpirti shqiptar, nga fati dhe trazavajet, nga përvoja më e mirë e poezisë shqipe, veçanërisht nga ajo që është arritur në Kosovë, e derdhur natyrshëm në një formë sa kombëtare, po aq dhe europiane, e gjitha e tij, ngazëllim dhe gjëmë, britmë dhe dinjitet, fashitje dhe vështrim brenda vetes…

3.

Poeti Halil Matoshi ruan të folmen e shtëpisë së tij, dialektin si një pasuri, metafora e tij është e qartë dhe e ngrohtë, dua të them e kuptueshme për çdo shtëpi shqiptare, kudo qoftë ajo, por jo e thjeshtë, ka diçka nga zjarri që është i njëjtë në çdo vatër, ndërkaq autori punon me semantikën e fjalës, duke i dhënë kuptimin maksimal dhe nënkuptime shtesë.

Në poezinë e tij ka njohje dhe urtësi filozofike, dije biblike, traditë, përditshmëri, pa ia cënuar çlirshmërinë, duke rikonstruktuar modernitet, duke e çuar poezinë e tij në avanguardën bashkëkohore.

4.

E ritheksoj, ajo është poezi e tij, ku zbulojmë drama të jetës, që nuk janë vetëm të tiat.  Po nis nga më rëndat, ato kolektive, pushtuesi, masakrat më të fundit të milicëve serbë, gjak dhe qiell, tokë dhe qëndresë, ideal dhe Presidenti Rugova, ëndërr dhe burgu i Prishtinës, miqtë poetë, Podrimja, Bajraj, etj., qytete, kujtesa dhe moskujtesa, burgjet shqiptare prapë, Spaçi si një Aushvic tjetër, vrasjet e fëmijëve, Ukraina, Rusia me Putinin, por jo e Putinit, boshi shpirtëror, Jim Belushi, Borges, stacion tjetër, Kërshëndellat, Viti i Ri 2023, një univers halilmatoshian…

5.

Poema e tij është place d’armes dhe një simfoni. Një dëshmi jete, gjuhë dhe frymë, poezi e njeriut…

Mos gjyko kurrë nji njeri me plagë…

thotë poeti diku. Ne na mbetet veç ta duam.

ObserverKult

Lexo edhe:

“THE LIL’S POEM” E HALIL MATOSHIT, SIMFONI JETE E DASHURIE