Më 12 shkurt promovohet libri “Gjuha, letërsia dhe filmi” i autorit, Enver S. Morina

Më 12 shkurt, promovohet libri “Gjuha, letërsia dhe filmi”, i autorit Enver S. Morina, botuar nga Littera, 2024. Promovimi fillon në ora 17:00 dhe mbahet në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.

Për librinBashkim Hoxha recensent:

Libri me 15 intervista nga Enver Morina është një kontribut me vlerë në trajtimin e problematikave të letërsisë dhe arteve, por mbi të gjitha, plotëson informacionin e munguar të historisë së vonët të letërsisë dhe arteve këndej dhe andej Drinit.

E veçanta e këtij libri është sepse janë vet protagonistët e letërsisë dhe arteve që flasin duke na sjellë jo vetëm informacione të bollshme, por edhe këndvështrimet e tyre personale duke zbërthyer procesin krijues dhe historinë e vonët të letërsisë dhe arteve nga pozicione të ndryshme. Në këtë mënyrë “kamerat” na zbulojnë të gjithë shesh-betejën e krijuesve në përpjekjet e tyre të mundimshme për të ngritur monumentin e artit e letërsisë shqipe.

Ky libër vet është një vlerë shtesë mbi kontributet e shquara që kanë dhënë personalitetet e shquara që janë intervistuar. Përveç krijimeve që analizohen në dialog me autorin e intervistave, ne kemi mundësinë të njihemi edhe me mendimet e tyre të çmuara.

Zahrie Kapllanaj, recensente

Enver S. Morina ka intervistuar, në një periudhë disadekadëshe: shkrimtarë, studiues, regjisorë, skenaristë, aktorë, albanologë, intelektualë të moshave, domeneve dhe interesimeve të ndryshme.

I realizuar dhe i shkruar në kohë reale bashkëbisedimi i tij me këto personalitete prodhon informacione, qëndrime, zhvillime të fushave të rëndësishme të artit dhe të kulturës shqiptare për një periudhë jo të shkurtër kohore.

Këto intervista janë të rëndësishme dhe të vlefshme, sepse në një rrjedhë kronologjike shënojnë e përcaktojnë zhvillime të shumta e të ndryshme në fushën e gjuhës, letërsisë, artit, folklorit, teatrit, filmit etj. Janë shenjuese të etapave të ndryshme kulturore, në të cilat realizohen ato.

Janë të menduara dhe të projektuara mirë e në nivel. Kapin fenomene esenciale, varësisht personalitetit që intervistohet dhe veprimtarisë së caktuar të tij/saj ose varësisht ngjarjeve kulturore që dominojnë në periudhën e caktuar. Ndërtohen në nivel të lakmuar gjuhësor e struktural, me një sens të veçantë të të njohurit dhe të të kërkuarit nga ana e intervistuesit dhe me një shtrirje të thellë semantike e përtej të të njohurit të çështjes ose çështjeve rreth së cilave ndërtohet biseda/intervista.  

Enver S. Morina

Për autorin:

Enver S. Morina (1965, Gllarevë e Klinës) ka kryer Fakultetin e Filologjisë, drejtimi Letërsi dhe ka ndjekur studimet pasuniversitare (1998-2000). Për disa vjet ka punuar profesor në Shkollën e Mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë, e më pastaj gazetar.

Shkruan ese e kritikë letrare e kinematografike, opinione, analiza, botuar në periodikun apo gazetat e kohës, si “Koha-javore”, “Sheshi”, “Zëri-javor”, “Flaka”, “Fjala”, “Jeta e Re”, “Bota Shqiptare”, “Verbi”, “Albanica”, “Shqip” si dhe në “MAPO Letrare”, “Nacional”, “ResPublica”, “ExLibris”, “ObserverKult” etj.

Është autor i monografisë “Shndrit ndër breza, Hamit Krasniqi” (2010) dhe i veprës me tregime “Rr’nimi i Arbërit” (Buzuku, 2021). Ky është libri i tretë!

ObserverKult


Lexo edhe:

LITTERA SJELL PËR LEXUESIT LIBRIN “GJUHA, LETËRSIA DHE FILMI” TË ENVER S. MORINËS