Nga Visar Zhiti
– Sa është ora?
– Një zambak i dhuruar është.
– Pyeta për orën. Sa e keni?
– Sa një det. Dallgët e mia i vërsulen një shkëmbi.
Dua të bëj një grup skulpturor për betejat e njeriut…
– Oh, ora, ora sa është?
– Është treni i ikur. Jeni vonë.
– Mund të më thoni sa është ora?
– Sa një gojë fëmije, kur këndon për herë të parë.
– Sa shkoi ora?
– Në një takim ndërkombëtar shkoi.
– A keni orë?
– Zemër kam, po.
– Ç’kohë është tani?
– Jotja.
– Thuamë ku është akrepi i madh dhe i vogli ku?
– Janë vetullat e asaj vajzës që pret,
Sytë e mëdhenj sa dy ora…
– What time is by your watch?
– It is magic music.
– Të lutem, a mund të më thush sa është ora?
– Mos fol fare. Është sa të duash ti. Mund të jetë diell
Pa pesë minuta brengë ose erë dhe gjysmë mençuri
Apo fiks një varrim,
Mund të jetë dy njerëz e 10 minuta kuptim,
6 libra e 25 gjethe vjeshte.
12 shatërvanë pa 1 kalë,
1 pyll dhe 3 biseda telefonike,
2 demonstrata e 59 të vrarë. Ora ngeli.
– Sa është jotja, që të rregulloj timen?
Dy qiej, me diej që lindin,
Mesdita e një qyteti dhe një paketë cigaresh, e pambaruar,
5 dritare dhe 5 kukumjaçka
Dhe mesnata e një ujëvare, që derdh vegimet e tua,
3 heshtje pa 10 lehje,
9 rregulla plot,
9 mendime pa 20 buzëqeshje,
9 mendime e 30 të qeshura e 15 toleranca,
10 pa 10, po kurrë asgjë.
Të duhet dhe një orë
Dhe një shekull të duhet,
Një çast dhe një përjetësi.
Yje minutash nëpër universin tënd, shi i ngrirë, i artë i tërë,
Shi yjesh, mornica- yjet.
– Po ora, sa është ora, ju lutem?
– Sa mosha jote është.
– Sa, sa?
– Sa koha…
ObserverKult
Lexo edhe: